Ndërlidhjet

Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u negociojnë për kompensimin e orëve


Ilustrim.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), kanë përafruar qëndrimet rreth zgjidhjes së çështjes së kompensimit të orëve të humbura mësimore gjatë grevës trijavore të mësimdhënësve.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, është takuar të mërkurën me përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe të Komisionit parlamentar për Arsim, pasi Sindikata e Arsimit ka njoftuar se refuzon kompensimin e këtyre orëve.

Pas takimit, ministri Bytyqi ka deklaruar se do të tërheqë vendimin e tij të 26 shkurtit, për kompensimin e orëve të humbura mësimore.

“Mund ta tërheqim vendimin (për kompensimin e orëve). Për ne është me rëndësi që të gjejmë një formë më të mirë të kompensimit dhe jemi të gatshëm që ta bëjmë një gjë të tillë”, është shprehur Bytyqi.

Ministria e Arsimit ka pranuar dy kërkesat e SBASHK-ut, njëra për tërheqjen e vendimit të kompensimit të orëve dhe e dyta, që të ndryshohet Ligji për pagat, ku paga e një mësimdhënësi të ciklit fillor (klasa 1-5), do të ishte e barabartë me atë të ciklit të mesëm të ulët (klasa 6-9).

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala, ka thënë se kompensimi i orëve do të bëhet në fund të vitit shkollor, me ç’rast do të mbahet një javë mësim shtesë.

“Do të bëhet kompensimi i një jave në fund të vitit shkollor 2018-2019, ngase edhe njëherë e përsëris se përgjegjës për ditët e grevës janë institucionet e Kosovës, që kanë lejuar që të mbahet për tri javë greva, e nuk e kanë parë të arsyeshme që pa hyrë në grevë – pavarësisht që ne kemi bërë kërkesa të shumta – të bëhet ajo ngritje e koeficientit”, ka thënë ajo.

Mësimdhënësit kanë hyrë në grevë trijavore në fillim të këtij viti. Greva ishte ndërprerë pasi përfaqësuesit e SBASHK-ut kishin arritur marrëveshje me autoritetet, që kërkesa e tyre për rritjen e pagave në koeficientin prej 30 për qind të bëhej në kuadër të Ligjit për pagat.

Por, SBASHK-u nuk është pajtuar me vendimin e ministrit Bytyqi për kompensimin e orëve, duke thënë se ky vendim nuk ka bazë ligjore dhe pati dërguar padi në gjykatë.

XS
SM
MD
LG