Ndërlidhjet

Putin: Rusia dhe Turqia duhet të forcojnë bashkëpunimin


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Moskë, 8 prill 2019.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Moskë, 8 prill 2019.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin, u takuan në Moskë, vetëm pak ditë pas një përplasjeje midis Ankarasë dhe Uashingtonit rreth planeve të Turqisë për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore nga Rusia.

Turqia është anëtare e NATO-s dhe marrëdhëniet e kësaj të fundit me Rusinë kanë qenë historikisht të tensionuara.

Por, Moska dhe Ankaraja kanë krijuar lidhje të fuqishme ekonomike që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Dy vendet "duhet të forcojnë bashkëpunimin në sferën ushtarake-teknike", i tha Putin Erdoganit gjatë takimit në Kremlin.

"Kjo përfshin para së gjithash përfundimin e kontratës për furnizimin e Turqisë me sistemin raketor S-400", tha Putin.

"Ka edhe projekte të tjera premtuese në rend të ditës, në lidhje me furnizimin e Turqisë me produkte moderne ushtarake të Rusisë", shtoi ai.

Uashingtoni ka kërkuar nga Ankaraja që të anulojë marrëveshjen raketore me Rusinë, duke thënë se sistemi S-400 paraqet kërcënim për avionët amerikanë.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, ka thënë më 3 prill se Turqia, ose duhet të jetë anëtare e rëndësishme e NATO-s, ose rrezikon sigurinë e këtij partneriteti, duke marrë "vendime të tilla të pamatura".

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë javën e kaluar se Ankaraja mund të përballet me sanksione nga SHBA-ja nëse blen sistemin S-400.

Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Erdogan ka thënë të premten se furnizimet me sistemin S-400 do të nisin në korrik.

XS
SM
MD
LG