Ndërlidhjet

Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet në komunat veriore


Ura në Mitrovic, foto nga arkivi.

Lista Serbe, subjekt politik që aktualisht përfaqëson komunitetin serb në Kosovë në institucionet lokale dhe ato qendrore, ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës, të shpallura për datën 19 maj.

Vendimi për pjesëmarrje në zgjedhje, pasoi takimin e krerëve të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Beograd.

“Nuk do t’i lejojmë as Prishtinës e as kujtdo nga bashkësia ndërkombëtare që në ato funksione të sjellin shqiptarë e as marioneta serbe, të cilët do të punojnë siç u thonë ata”, tha pas takimit me presidentin Vuçiq, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ndërkaq, presidenti Vuçiq, deklaroi se vendimi rreth pjesëmarrjes u takon pikërisht përfaqësuesve serbë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur të hënën e kësaj jave zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se ka filluar menjëherë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Katër kryetarët e këtyre komunave, më 27 nëntor të vitit 2018, dhanë dorëheqje, duke kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Këto komuna janë udhëhequr nga Lista Serbe.

XS
SM
MD
LG