Ndërlidhjet

Pas vendimit të gjykatës, përplasje për kreun e Bashkësisë Islame në Shkup


Shkupi

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI) ka reaguar ndaj një vendimi Gjykatës Themelore të Shkupit, e cila për kryetar të këtij institucioni ka emëruar Skënder Buzakun, i cili tash e disa vite tenton të marrë drejtimin e BFI-së.

BFI-ja vendimin e ka quajtur “skandal primitiv” ndërsa kritika ka drejtuar edhe në adresë të qeverisë duke e akuzuar për ndërhyrje në punën e institucionit fetar. Rexhepi ka thënë se akti që ka ndodhur flet qartë se në vend nuk ka institucione, por shtet policor.

“Pse qeveria, shteti, dhe institucionet e tij janë të orientuara kundër BFI-së dhe nuk ndjekin punën edhe të bashkësive tjera fetare? Unë nuk jam kriminel, e as që kam fituar tenderë apo kam plaçkitur popullin. Përkundrazi kam marr shumë mirënjohje, duke filluar nga presidenti amerikan Donald Trump, Zoti i dhashtë fuqinë, ashtu siç është fuqi në botë.. kam shumë mirënjohje për paqe, mirëqenie dhe bashkëjetesë”, ka deklaruar kryetari I BFI-së, Sulejman Rexhepi duke bërë të ditur se me këtë rast është njoftuar bashkësia ndërkombëtare, e cila, siç tha, në vazhdimësi i ka dhënë mbështetje, por edhe ka shprehur befasinë për sulmet në vazhdimësi që i bëhen këtij institucioni.

Rijaseti (organi më i lartë i BFI-së) pas një seance të jashtëzakonshme ka konstatuar se kryetar i BFI-së mbetet Sulejman Rexhepi, ndërsa vendimin e gjykatës e ka quajtur “të manipuluar dhe falsifikuar” pasi sipas Rijasetit emërimet dhe shkarkimet në kreun e BFI-së i bëjnë organet e institucionit dhe jo gjykatat.

Rexhepi ka akuzuar grupin e Skender Buzakut për manipulim të dokumenteve dhe firmës së tij në të cilat është bazuar gjykata gjatë marrjes së vendimit. Skender Buzaku, imam në një xhami të Shkupit, pasi kishte marr vendimin e gjykatës kishte hyrë me zyrat e BFI-së prej nga edhe kishte shpallur veten, kryetar të institucionit më të lartë islam në Maqedoninë e Veriut.

“Unë jam Skënder Buzaku, Reisi i ri në bazë të vendimit të Gjykatës. Raportet do të inspektohet se si është punuar në BFI. Nuk ka puç në BFI, të gjitha veprimet janë bërë në përputhje me aktet e BFI-së”, kishte deklaruar Skender Buzuku.

Nga qeveria dhe gjykata themelore e Shkupit nuk kanë komentuar reagimet e BFI-së.

XS
SM
MD
LG