Ndërlidhjet

Një nga sulmuesit në Shri Lankë ka "studiuar në Britani të Madhe"


Një nga kishat ku janë kryer sulmet në Shri Lankë.

Një nga sulmuesit mbrapa incidentit të së dielës në Shri Lankë ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar, kanë thënë zyrtarët, teksa janë bërë të ditura detaje tjera për sulmuesit.

Zëvendës-ministri i mbrojtjes së këtij shteti ka thënë se sulmuesi me bombë ka studiuar në Britani të Madhe dhe ka kryer disa kurse në Australi.

Ky njoftim ka ardhur pasi të mërkurën është bërë e ditur se numri i viktimave ka arritur në 359, derisa rreth 500 persona të tjerë janë plagosur.

Kryeministri, Ranil Wickremesinghe ka thënë se grupi militant, Shteti Islamik mund të jetë i lidhur me shpërthimet.

Po ky grup ka marrë përgjegjësinë për sulmet, të cilat kanë shënjestruar kisha dhe hotele luksoze, ndonëse nuk ka ofruar të dhëna të qarta për përfshirje në sulme.

Gjatë ditës së mërkurë, policia ka identifikuar tetë nga nëntë sulmuesit, njëri prej të cilëve ka qenë grua, derisa nuk është raportuar për ndonjë të huaj të përfshirë në incident.

Sipas autoriteteve, shumica e sulmuesve kanë kryer shkollim të lartë.

Zyrtarët policorë kanë thënë të kenë ndaluar rreth 60 persona të lidhur me sulmet.

Gjatë ditës po ashtu është bërë e ditur se përfaqësuesi amerikan në Shri Lankë ka paralajmëruar për “komplote terroriste” në këtë shtet.

Në Shri Lankë vetëm shtatë për qind e popullsisë i takon besimit të krishterë. Shumica e popullsisë është budiste.

XS
SM
MD
LG