Ndërlidhjet

Ushtria e Sudanit dhe opozita pajtohen që të krijojnë një këshill të përbashkët


Protestat në Sudan.

Udhëheqësit e ushtrisë së Sudanit dhe liderët e opozitës kanë arritur një marrëveshje për të krijuar një këshill të përbashkët udhëheqës. Kjo gjë po konsiderohet një arritje e madhe në bisedimet që mund të çojnë drejt kontrollit civil në këtë shtet afrikan.

“Ne jemi pajtuar për një këshill të përbashkët ndërmjet civilëve dhe ushtrisë”, thapër agjencinë AFP, Ahmed dal-Rabia, lider i protestave.

Këto komente vijnë pasi të dyja palët mbajtën bisedimet e para formale, që prej se protestat masive, çuan në rrëzimin nga pushteti të udhëheqësit autokrat, Omar al-Bashir, i cili ishte në krye të Sudanit për 30 vjet.

Këshilli transitor ushtarak i Sudanit, që rrëzoi nga pushteti dhe e arrestoi Bashirin, mori nën kontroll vendin dhe u zotua se do të krijojë një udhëheqje civile, pas periudhës transitore, e cila u tha se nuk mund të zgjasë më shumë se dy vjet.

Por, liderët opozitarë thanë se ky afat ishte shumë i gjatë dhe vazhduan presionin që udhëheqja e shtetit t’i kthehej civilëve në një periudhë sa më të shpejtë.

Grupet kundër Bashirit dhe protestuesit, kanë protestuar pranë selisë së Ministrisë së Mbrojtjes, duke tentuar që të bëjnë presion ndaj ushtrisë.

Grupet opozitare, që janë bashkuar nën një ombrellë të quajtur Deklarata e Lirisë dhe Forcat e Ndryshimit, kanë mbajtur një sërë takimesh me këshillin ushtarak.

Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se në këto takime është arritur marrëveshje mbi krijimin e një këshilli të përbashkët, por jo edhe një ujdi se sa përfaqësues duhet të ketë në këtë këshill secila palë.

XS
SM
MD
LG