Ndërlidhjet

FMN: Irani mund të përballet me 40 për qind inflacion


Valuta iraniane, rial.

Ekonomia e Iranit pritet të tkurret për të dytin vit radhazi dhe inflacioni mund të arrijë në shifrën prej 40 për qind, ka thënë një zyrtar i lartë i Fondit Monetar Ndërkombëtar, teksa ky shtet përballet me sanksione të ashpra të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.

Uashingtoni, i cili ka rivendosur të gjitha sanksionet kundër eksporteve të naftës së Iranit në nëntor të vitit të kaluar, u ka kërkuar këtë muaj blerësve të naftës iraniane që të ndalojnë blerjet nga muaji maj, ose do të përballen me sanksione të SHBA-së.

Ekonomia e Iranit është tkurrur për 3.9 për qind vitin e kaluar, dhe pritet që më 2019 ulja të jetë për 6 për qind, ka thënë drejtori i FMN-së për Lindje të Mesme dhe Azi Qendrore, Jihad Azour për agjencinë e lajmeve, Reuters.

“Është e qartë se rivendosja e sanksioneve dhe heqja e masave lehtësuese do të ketë ndikim negativ edhe më të madh në ekonominë iraniane sa i përket rritjes dhe inflacionit”, ka shtuar ai.

Sanksionet amerikane kundër Iranit, i kanë kushtuar me rreth 10 miliardë dollarë humbje këtij shteti, ka thënë një zyrtar amerikan më herët gjatë këtij muaji.

Valuta iraniane, rial, ka humbur më shumë se 60 për qind të vlerës vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksionet ndaj këtij shteti, pasi fillimisht janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015.

Presidenti amerikan, Donald Trump pati thënë se Irani ka shkelur “shpirtin e marrëveshjes” dhe ky dokument ka shumë mangësi.

Sipas marrëveshjes, Teherani është pajtuar për të hequr dorë nga programi bërthamor, në këmbim të lirimit nga sanksionet ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG