Ndërlidhjet

Katari: Zgjerimi i sanksioneve kundër naftës iraniane dëmton furnizuesit


Ministri i Jashtëm i Katarit, Muhammad bin Abdul Rahman Al Thani.
Ministri i Jashtëm i Katarit, Muhammad bin Abdul Rahman Al Thani.

Ministri i Jashtëm i Katarit, sheiku, Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, ka thënë të mërkurën se vendimi i Uashingtonit për të mos vazhduar masat lehtësuese për shtetet që blejnë naftë nga Irani, do të dëmtojë shtetet që varen në këto furnizime.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar blerësve që të ndalojnë një gjë të tillë më 1 maj, apo do të përballen me sanksione amerikane, duke u dhënë kështu fund disa masave lehtësuese që për gjashtë muaj u kanë mundësuar disa vendeve që të blejnë naftë nga Irani.

Uashingtoni ka vazhduar sanksionet ndaj Iranit prej kur presidenti amerikan, Donald Trump është tërhequr një vit më parë nga pakti bërthamor i vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Kjo marrëveshje i ka mundësuar Iranit që të lirohet nga sanksionet ndërkombëtare, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

“Sanksionet nuk duhet të zgjerohen sepse kanë një ndikim të keq në shtetet që përfitojnë nga nafta iraniane”, ka thënë Abdulrahman al-Thani në një konferencë për media në Doha.

“Në Katar se nuk besojmë se sanksionet e njëanshme mund të sjellin efekte pozitive për krizat që mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut”, ka shtuar ai.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se kur ka marrë hapin për mosvazhdim të masave lehtësuese është konsultuar edhe me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të siguruar se tregjet e naftës nuk do të përballen me mungesa.

Katari, një nga shitësit më të vegjël të naftës, është larguar në dhjetor të vitit të kaluar nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), për t’u fokusuar në fuqizimin e pozitës së tij në eksportim të gazit natyror.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Katarin në qershor të vitit 2017, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe rivalit të tyre rajonal, Iranit.

Doha në anën tjetër i mohon këto akuza.

XS
SM
MD
LG