Ndërlidhjet

Të enjten, seancë për shqyrtimin e formimit të Tribunalit për krimet e Serbisë


Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës njoftoi se të enjten do të mbahet seancë për krijimin e Komisionit shtetëror për themelimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare.

“Seanca do të mbahet të enjten dhe pikat që do të trajtohen janë shumë, por një prej tyre do të jetë propozimi i rezolutës për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës së ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë dhe krijimi i Komisionit shtetëror për lancimin e tribunalit për krimet e Serbisë në Kosovë”, bëri të ditur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë 'ad hoc' për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili po punon për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje.

Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.

Lexoni edhe këtë:​ Gjykime në mungesë për krimet e Serbisë në Kosovë

XS
SM
MD
LG