Ndërlidhjet

Zelensky inaugurohet dhe shpall zgjedhje të reja


Volodymyr Zelensky

Presidenti i ri i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij në Kiev.

Zgjedhjet kanë qenë të parapara për tetor të këtij viti, por Zelensky tha se po e shpërbën Parlamentin.

Data e zgjedhjeve të reja nuk u specifikua ende.

Zelensky tha se përfundimi i konfliktit me separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës do të jetë prioritet i tij.

"Detyra jonë e parë është të arrijmë armëpushim në Donbas", tha ai, duke iu referuar rajonit që kontrollojnë rebelët pro-rusë.

Luftimet midis forcave qeveritare dhe separatistëve në lindje të Ukrainës kanë nisur qysh në vitin 2014 dhe kanë marrë mbi 13,000 jetë njerëzish.

Zelensky, ish-yll i televizionit, ka luajtur rolin e presidentit të Ukrainës në një seri komedish.

Si kandidat pa përvojë politike, ai shënoi fitore historike në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke mundur presidentin e deritashëm, Petro Poroshenko.

"Ne duhet të bëhemi islandezë në futboll, izraelitë në mbrojtjen e vendit tonë, japonezë në teknologji", tha Zelensky gjatë ceremonisë së betimit.

Ai po ashtu tha se ukrainasit duhet "të bëhen zviceranë në aftësitë e tyre për të jetuar të lumtur me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve".

XS
SM
MD
LG