Ndërlidhjet

Veseli: Kam deponuar kallëzim penal për keqpërdorim të emrit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se ka deponuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, për shkak të, siç thotë “keqpërdorimit të emrit tim nga një grup kriminal”.

Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka shkruar se “do t’i shkojë deri në fund qartësimit të këtij rasti dhe sjelljes para përgjegjësisë penale të atyre që e kanë bërë krimin dhe atyre që e kanë fshehur krimin për gjashtë vjet”.

​Ndryshe, në disa video-incizime, të publikuara këtë javë në mediat lokale në Kosovë - vërtetësinë e të cilave Radio Evropa e Lirë nuk e ka konfirmuar – shihen disa persona të dyshuar për vepra kriminale duke marrë para dhe duke u thirrur në emrin e tij .

Ngjarja thuhet se ka ndodhur në vitet 2012/2013.

Më herët gjatë ditës se enjte, në një konferencë për media, kryeparlamentari Veseli, për këtë çështje, ka kërkuar përgjegjësi nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Lexo edhe këtë: Veseli mohon përfshirjen në pretendimet për keqpërdorime

XS
SM
MD
LG