Ndërlidhjet

Haradinaj pranon Raportin vjetor të Zgjerimit


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, foto nga arkivi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pranuar të mërkurën, raportin vjetor të zgjerimit nga Shefja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Në një konferencë të përbashkët për media, pas takimit me zonjën Apostolova, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, Haradinaj ka thënë se raporti ka gjëra pozitive dhe negative.

Ai tha se nga leximi i parë që i është bërë raportit, të gjeturat janë të përziera.

"Në disa raste është pozitiv, ndërsa në raste të tjera ka kritika, shembull si rasti i taksës, por përgjithësisht është raport që përmban suksese dhe kritika ndaj Kosovës”, është shprehur ai.

Apostolova në anën tjetër ka thënë se raporti tregon qartë se ku ndodhet Kosova në rrafshin e reformave që janë bërë dhe punëve të tjera që duhet bërë.

Edhe ministrja Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, ka thënë raporti tregon për të arriturat që i kanë bërë institucionet e Kosovës, por edhe rekomandime se nga duhet të shkojë Kosova tash e tutje.

"Shumë nga rekomandimet që i gjejmë në këtë raport, ne i kemi evidentuar dhe i kemi theksuar edhe në paraqitjet tona publike. Pra të gjithë e dimë se duhet të vazhdojmë të fuqizojmë sundimin e ligjit dhe duhet të forcojmë luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pas analizimit te rekomandimeve do të nisim menjëherë planin për realizmin e rekomandimeve", ka deklaruar Hoxha.

Komisioni Evropian ka publikuar pakon vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian.

Kosova, e cila mbetet ende e fundit në procesin integrues, është kritikuar për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, derisa është përmendur se Kosova ka bërë progres në zbatimin e disa çështjeve dhe reformave kyçe të lidhura me BE-në, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e kuadrit ligjor në Kosovë, fushat e sundimit të ligjit dhe të administratës publike.

Për dallim nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

XS
SM
MD
LG