Ndërlidhjet

Dënohet sulmi fizik ndaj gruas rome në Lipjan


Një grua e komunitetit RAE, pamje ilustruese.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, (KMDLNj), ka dënuar sulmin ndaj një qytetareje me përkatësi rome, e cila ishte raportuar nëpër rrjete sociale dhe disa media elektronike se “kishte rrëmbyer fëmijë nëpër shkolla”.

KMDLNJ e ka cilësuar sulmin fizik nga një grup i të rinjve, në qytetin e Lipjanit si “linçim i një qytetareje të pafajshme”.

“KMDLNj e dënon ashpër këtë dhunim të të drejtave të njeriut, të lirisë së lëvizjes dhe të drejtës për jetë të një qytetareje të pafajshme, e cila me asgjë nuk e ka provokuar mllefin dhe dhunën ndaj saj. Njëherësh, KMDLNj kërkon nga organet e hetuesisë që ky rast të trajtohet me urgjencë dhe të gjithë ata që janë përgjegjës të nxirren para organeve të drejtësisë”, është thënë në reagim.

Në komunikatë dënohet ashpër edhe sjellja e disa mediave për shkak të siç është thënë “publikimit të lajmit të rremë, sipas të cilit, gruaja ishte një ‘grabitëse fëmijësh’”.

Edhe Rrjeti i Organizatave të Grave Rome, Ashkalinje dhe Egjiptase të Kosovës (RROGRAEK), ka dënuar ashpër këtë rast.

“Kjo sjellje brutale ndaj një gruaje, e cila vjen nga komuniteti rom, e cila është dyfish e diskriminuar, së pari si grua dhe më pastaj si komunitet pakicë, duhet ta marrë dënimin e merituar dhe të mos mbetet vetëm në suaza të deklaratave”, është thënë në reagimin e këtyre organizatave.

Në shenjë proteste ndaj sulmit fizik që ndodhi në Lipjan, në Prishtinë disa qytetarë kanë protestuar. Atyre u është bashkuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, ish-Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, i cili tha se rasti në Lipjan përbën një “linçim tipik ndaj një personi të pafajshëm”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i ka nisur hetimet për këtë rast.

XS
SM
MD
LG