Ndërlidhjet

Vendet arabe mobilizohen kundër Iranit


Mbreti Salman i Arabisë Saudite
Mbreti Salman i Arabisë Saudite

Mbreti Salman i Arabisë Saudite gjatë një takimi të liderëve arabë në Mekë i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të përdorë "të gjitha mjetet për të ndaluar regjimin iranian që të ndërhyjë në punët e brendshme të vendeve të tjera".

Mbreti, në fjalimin e tij, akuzoi Iranin për "strehimin e subjekteve terroriste globale dhe rajonale dhe kërcënimin e trafikut ujor ndërkombëtar".

Samiti, në qytetin e shenjtë të Mekës, erdhi pasi tensionet ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj arabë po rriten, duke shtuar frikën për mundësin e një konflikti të armatosur.

"Irani duhet të respektojë sovranitetin e shteteve arabe dhe të ndalojë ndërhyrjen në vendet tjera. Irani po kërcënon sigurinë dhe stabilitetin në rajon", thanë udhëheqësit arabë, në një deklaratë të lexuar nga sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit.

Arabia Saudite si vend me shumicë sunite, është një rivale e Iranit me shumicë shiite. Të dyja vendeve synojnë ndikimin në rajon.

Tensionet janë rritur, pas sulmeve në transportuesit e naftës jashtë brigjeve të Gjirit Persik, për të cilat shumë shtete arabe dhe SHBA-ja kanë fajësuar Iranin. Në anën tjetër, Irani ka mohuar përfshirjen në incident. SHBA-ja ka rritur prezencën e saj ushtarake në rajon.

Sekretari i Shtetit i SHBA.-së, Mike Pompeo,tha se Irani sulmoi transportuesit e naftës jashtë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe në një përpjekje për të rritur çmimet e naftës. "Këto ishin përpjekjet e iranianëve për të rritur çmimin e naftës së papërpunuar anembanë botës", u tha Pompeo gazetarëve më 30 maj, përpara se të niste në një udhëtim në Evropë.

Më parë, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, tha se prova që tregon se Irani ishte pas sulmeve do të paraqitej në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.

Gjithashtu më 30 maj, përfaqësuesi special i SHBA-ve për Iranin përsëriti një paralajmërim të Uashingtonit se SHBA-ja do të përgjigjet me forcë ushtarake nëse Teherani sulmon interesat e veta apo ato të aleatëve të saj.

XS
SM
MD
LG