Ndërlidhjet

Thaçi e Vuçiq me pikëpamje të ndryshme në Forumin e Bratisllavës


Profili i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq.
Profili i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë prezantuar pikëpamje të ndryshme në lidhje me marrëveshjen e mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata po marrin pjesë në Forumin “GloboSec”, ku bashkë me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kanë qenë panelistë në këtë forum.

Thaçi akuzoi presidentin serb Vuçiq, për kushtëzim, përkatësisht pengim të vazhdimit të dialogut me Kosovën.

“Duam marrëveshje me Serbinë që do të sillte njohje reciproke, pa kufij me vija etnike. Një marrëveshje e cila do të sillte anëtarësim të Kosovës në OKB dhe që do të sillte njohjen e pesë vendeve të BE-së, përfshirë Sllovakinë”, tha Thaçi.

Sipas tij, ende ka gjasa që marrëveshja arrihet këtë vit, por vetëm nëse Serbia tërhiqet nga pengesat që i bën dialogut.

“Nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol. Por, unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”, tha Thaçi, sipas të cilit, marrëveshje duhet t’i sigurojë Kosovës edhe njohjen nga Serbia.

Por, i mendimit tjetër ishte presidenti serb Vuçiq.

“Për zotëri Thaçin e gjithë Kosova u përket shqiptarëve të Kosovës apo kosovarëve apo kjo është një shtet i pavarur. Por, sipas kushtetutës së Serbisë e gjithë Kosova i përket Serbisë, edhe bota është e ndarë, absolutisht e ndarë”, tha Vuçiq, duke shtuar se gjysma e botës e njeh, por gjysma tjetër nuk e njeh Kosovën e pavarur. Ai tha se angazhohet për një zgjidhje kompromisi, por jo çfarëdo zgjidhjeje që ofron Prishtina.

Presidentët Thaçi e Vuçiq pritet që t’i kryesojnë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në kuadër të një takimi që është thirrur për të shtyrë përpara dialogun ndërmjet dy vendeve më 1 korrik në Paris, nikoqir i të cilit do të jenë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel ka nisur më 2011.

Aktualisht ky proces është bllokuar pasi, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka përmendur taksën prej 100, që, Qeveria e Kosovës ka vendosur në importet e Serbisë, si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Heqjen e kësaj tarife e kanë kërkuar edhe Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG