Ndërlidhjet

DASH: Kosova dhe Serbia t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve


Logoja e Departamentit amerikan të Shtetit.
Logoja e Departamentit amerikan të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë që të përkrahin dialogun, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit, në një deklaratë për Zërin e Amerikës, me rastin e anulimit të takimit të liderëve nga Kosova dhe Serbia, i cili ishte paraparë të mbahet më 1 korrik në Paris.

Në një deklaratë me shkrim nga Departamenti i Shtetit, theksohet që “Beogradi dhe Prishtina duhet të largojnë pengesat, t’i shmangin provokimet dhe t’u kthehen bisedimeve”.

“Ne jemi të gatshëm që t’i dëgjojmë dhe ndihmojmë të dyja palët dhe BE-në, si ndërmjetësues, që të gjejnë zgjidhje, për të cilën do të pajtohen të gjithë”, kanë thënë nga Departamenti amerikan i Shtetit për Zërin e Amerikës.

Ndërkaq, senatori Ron Johnson, kryesues i nënkëshillit për Evropë dhe bashkëpunim për siguri rajonale, në Këshillin e Senatit për Punë të Jashtme, ka thënë se është “dëshpëruar që takimi në Paris ndoshta nuk do të mbahet”.

“Arritja sa më parë e marrëveshjes, do t’i kontribuonte stabilitetit të Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit. Shpresoj që liderët në Beograd dhe Prishtinë të takohen së shpejti, të vazhdojnë bisedimet dhe të vazhdojnë të punojnë për arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Johnson.

Takimi në Paris, i paralajmëruar për 1 korrik, në të cilin është dashur që të takohen përfaqësuesit më të lartë të Serbisë dhe Kosovës, në praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, është shtyrë për afat të pacaktuar.

XS
SM
MD
LG