Ndërlidhjet

Anija me migrantë niset drejt Italisë pavarësisht paralajmërimeve


Pamje të migrantëve në brigjet e Italisë.

Një barkë gjermane me migrantë të shpëtuar në Detin Mesdhe, është nisur drejt ishullit italian, Lampeduza, pavarësisht paralajmërimeve të Italisë për të mos e bërë një gjë të tillë.

“E di që kjo është e rrezikshme, mirëpo ata janë të shumë të lodhur. Unë do t’iu garantoj atyre siguri”, ka thënë kapiteni i anijes.

Ministri i Brendshëm populist i Italisë, Matteo Salvini, ka thënë se këtyre personave nuk do t’iu lejohet hyrja në Itali.

“Imigrimi nuk mund të menaxhohet me anije të jashtëligjshme”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

“Ne jemi të gatshëm të bllokojmë këtë kaos. Durimit tonë i ka ardhur fundi”.

Autoritetet italiane kanë paralajmëruar më herët se do të ndëshkojnë me gjoba të rënda anijet që tashmë i janë afruar këtij ishulli.

Shoqata e bamirësisë gjermane, që është përgjegjëse për aktivitetet e anijes, ka akuzuar institucionet evropiane për mospërmbushje të përgjegjësive, ashtu që të shpëtohen njerëzit në det.

Në javët e fundit, më shumë se 400 migrantë kanë udhëtuar me anije të vogla drejt Italisë, ka raportuar agjencia e lajmeve AFP.

XS
SM
MD
LG