Ndërlidhjet

Vetting në sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut


Ilustrim

Njohësit e çështjeve juridike theksojnë se Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë procesin e vlerësimit të njohur si “vetting” për punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve me qëllim që gjykatat në vend të arrijnë të pastrohen nga personat që punojnë në bazë të direktivave të strukturave të caktuara politike.

Përderisa kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, edhe pse premtoi se do të instalojë sistemin për rizgjedhjen e të gjithë gjykatësve në vend, u tërhoq nga kjo ide pasi siç ka theksuar se “nuk dëshiron që vendi të mbetet pa gjykatës”.

Por, ekspertët juridikë thonë se kjo tezë e kryeministrit Zaev nuk mban sepse siç kanë nënvizuar në Maqedoninë e Veriut pothuajse ka dyfish më shumë gjykatës për kokë banori krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian.

Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme në Maqedoninë e Veriut, thotë se Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve si pjesë e reformave në sistemin gjyqësor nuk arriti të prodhojë gjykatës profesional.

Iliev, për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Maqedoninë e Veriut ka mjaft gjykatës profesional që do të mund të dëshmojnë se sistemi i drejtësisë ka kapacitet të funksionojë, por ata qëllimisht lihen anash nga politika sepse nuk pranojnë urdhëra nga politikbërësit.

“Numri i gjykatësve në Maqedoninë e Veriut është tej mase i lartë, madje në disa gjykata kemi gjykatës që nuk kanë fare punë, duke mos pasur pothuajse asnjë lëndë, dhe nga ana tjetër kemi gjykata ku gjykatësit janë të mbingarkuar me lëndë".

"Problemi qëndron në mos shpërndarjen e barabartë të punës dhe kjo besoj se bëhet me qëllim që sistemi i drejtësisë të paralizohet, gjegjësisht të jetë jofunksional sistemi gjyqësor që pastaj ai lehtësisht të manipulohet ose do të thosha më lehtë të mund të dirigjohet nga politika”, thotë Dane Iliev, ish kryetar i Gjykatës Supreme në Maqedoninë e Veriut.

Ndërkaq, Xhelal Neziri njohës i çështjeve politike, thotë se vettingu si proces për Maqedoninë e Veriut është mëse i nevojshëm sepse vendi përballet me trysninë e BE-së, përkatësisht se reformat në sistemin e drejtësisë do të jenë ato që do të ndezin dritën jeshile për Maqedoninë e Veriut që t'i caktohet data për fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane

Neziri thotë se edhe bllokimi i punës së Prokurorisë Speciale paraqet një dëshmi se të gjithë ata që në një formë ndajnë drejtësinë duhet t'i nënshtrohen vettingut.

“Sistemi gjyqësor në Maqedoninë e Veriut nuk është një sistem që prodhon drejtësi, por është një sistem që i shërben politikës. Andaj nëse shihet nga ky këndvështrim atëherë është logjike që çdo pushtet të synoj të rruaj një sistem gjyqësorë siç kemi këtë aktualisht, i cili do të vazhdoj t`i shërbejë atij pushteti".

"Ajo që unë mendoj është që Maqedonia e Veriut të mbetet për një kohë pa gjykatës ose me një numër më të vogël gjykatësish dhe prokurorësh sesa ata gjykatës dhe prokurorë të prodhojnë padrejtësi”, thotë Neziri.

Edhe Komisioni për parandalimin e korrupsionit përmes kryetares së këtij institucioni ka përkrahur idenë për “vetting” apo verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve duke theksuar se tek ky institucion numri më i madh i ankesave të qytetarëve ka të bëjë me punën e gjykatësve dhe prokurorëve.

Ndryshe, partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim tanimë ka dorëzuar në institucionin ligjdhënës një draftversion të Ligjit për vetting, ku parashihet të përfshihen të gjithë funksionarët, duke filluar nga presidenti i shtetit, kryeministri, kryetari i Parlamentit duke përfshirë dhe të gjithë gjykatësit dhe prokurorët.

Por, opozita maqedonase VMRO DPMNE konsideron se nuk ka kushte për “vetting”, pasi që sipas tyre, pushteti aktual është i zhytur në krime dhe procesi i vettingut si i tillë do të shfrytëzohej vetëm për larje të krimeve.

Në këtë drejtim, Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike thotë se opozita duhet të dalë nga gëzhoja për të përkrahur vettingun sepse në këtë formë do të përshpejtojë proceset për të pasur sistem gjyqësor më efikas.

Në bazë të një studimi të Këshillit të Evropës Maqedonia e Veriut ka më shum gjykatës krahasuar me vendet e BE

Të dhënat e studimit të Këshillit të Evropës në vitin 2018 kanë nxjerr në pah se në Evropë mesatarisht ka 22 gjykatës në 100 mijë banorë kurse në Maqedoninë e Veriut në 100 mijë banorë ka 27 gjykatës përderisa në vendet e zhvilluara ka dyfish më pak gjykatës, për shembull në Irlandë në 100 mijë banorë ka vetëm 3 gjykatës, Danimarkë 6, Francë 10 dhe Itali dhe Norvegji nga 11 gjykatës.

Pasqyra është krejtësisht ndryshe krahasuar me vendet e rajonit ku në 100 mijë banorë, Mali i Zi i ka 51 gjykatës, Kroacia dhe Sllovenia me 43 dhe Serbia me 38 gjykatës në 100 mijë banorë.

XS
SM
MD
LG