Ndërlidhjet

Lufta për sundimin e shtetit të së drejtës


Foto nga arkivi - Ministria e Drejtësisë pas një proteste kundër vendimit të presidentit Gjorge Ivanov për të falur politikanë nga Qeveria dhe opozita.

Pavarësia dhe efikasiteti i Gjyqësorit mbetet një ndër sfidat kryesore të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev, i cili shumë herë kishte premtuar “drejtësi për të gjithë”, apo zbardhjen e të gjitha rasteve kriminale, lirimin e të pafajshmëve nga burgjet dhe burgosjen e autorëve të vërtetë të veprave të shumta që besohet të jenë kryer nga qeverisja 10-vjeçare e Nikolla Gruevskit, ish-kryeministrit të arratisur në Hungari.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, thotë se Gjyqësori ka nisur të vendoset në binarët e funksionimit normal, edhe pse pranon se për një sistem efikas ende nevojitet kohë.

“Kthimi i drejtësisë në Maqedoni dhe funksionimi i institucioneve, janë preokupimet kryesore të qytetarëve, që kanë nisur të realizohen. Fakti se pas një pritje të gjatë kemi vendime gjyqësore për zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre dhe kemi procese tjera gjyqësore që janë në rrjedhë e sipër, flet qartë se detyrat që janë para nesh, po i plotësojmë”, deklaron Deskoska.

Ajo, gjithashtu, përmend Ligjin për gjykatat dhe Këshillin Gjyqësor, që janë miratuar në bazë të rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, i cili pas një vlerësimi të detajuar ka dhënë kritika pozitive për këto ligje që parashohin kriteret për zgjedhjen, emërimin, sistematizimin e gjyqtarëve, si dhe aspekte tjera që lidhen me punën e tyre me qëllim rritjen e pavarësisë dhe të efikasitetit.

Deskoska thotë se për një Gjyqësor të konsoliduar dhe të besueshëm ende ka shumë punë duke marrë parasysh të kaluarën dhe ndikimet e shumta të politikës, por edhe praninë e dukurive tjera negative, si korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Por, njohësit e çështjeve juridike thonë ndryshimet ligjore nuk janë të mjaftueshme për të pasur një Gjyqësor efikas dhe se Qeveria aktuale deri më tani nuk ka dhënë sinjale të mjaftueshme se punon vërtet për një pavarësi të plotë të Gjyqësorit.

Naser Zyberi, njohës i çështjeve juridike, thotë se dëshmi për këtë është fakti se organi më i lartë gjyqësor, Këshilli Gjyqësor, ende punon me përbërjen e kaluar, sikur edhe shumë drejtues tjerë të gjykatave që tani i shërbejnë pushtetit aktual, ashtu siç i shërbenin pushtetit të kaluar.

“Gjykata Supreme ende udhëhiqet nga personi, i cili dyshohet se për shumë vepra,që nga keqpërdorimi i sistemit elektronik për shpërndarjen e lëndëve te gjykatësit, e deri tek arratisja e Nikolla Gruevskit, njëri nga të dënuarit e Prokurorisë Speciale".

"Pra, ende ka shumë defekte në funksionimin normal të Gjyqësorit dhe nuk mund të jemi të kënaqur me atë që është arritur në këtë periudhë dyvjeçare pas tranzicionit, respektivisht marrjes së pushtetit nga Qeveria aktuale”, thotë Zyberi, duke shtuar se qytetarët pavarësisht rënies së besimit ende kanë shpresë në Prokurorinë Speciale.

Temelko Ristevsi, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin FON të Shkupit, thotë se në Gjyqësor janë bërë disa lëvizje pozitive në hartimin e strategjisë.

Por, edhe sipas tij, kjo nuk është e mjaftueshme, pasi është evidente se gjykatat janë joefikase dhe të politizuara në skajshmëri nga ndërhyrja e partive politike. Ristevski thotë se rasti më i freskët se sistemi në përgjithësi është joefikas është ai me arratisjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.

“Mendoj se këtu faji nuk është vetëm i Gjyqësorit, i cili duhej të ndiqte këtë ngjarje me masa adekuate, por këtu përgjegjësisë nuk mund t'i ikë as Ministria e Punëve të Brendshme, e cila nuk ishte e kujdesshme në parandalimin e ikjes së ish-zyrtarit të lartë. Kjo ishte diçka e turpshme për shtetin në përgjithësi. Për të arritur një sistem efikas gjyqësor, nevojitet ende shumë punë”, thotë Ristevski.

Për shkak të humbjes së besimit në Gjyqësor, ishte formuar Prokuroria Speciale, e cila gjatë vitit 2018 ka udhëhequr shumë procese gjyqësore, por shumë prej tyre ende nuk kanë marrë epilog konkret.

Procesi më i ndërlikuar është ai për 27 prillin, apo dhunën në Kuvend, por për qëllim politike, sigurimin e votave për ndryshimet kushtetuese, shumë prej aktorëve të kësaj ngjarjeje në mesin e të cilave edhe disa deputetë, kanë përfituar nga amnistia, e cila gjithashtu është vlerësuar si goditje ndaj Gjyqësorit.

XS
SM
MD
LG