Ndërlidhjet

Nën dyshime për korrupsion, japin dorëheqje anëtarët e komisionit anti-korrupsion


Flamuri i Maqedonisë, foto nga arkivi
Flamuri i Maqedonisë, foto nga arkivi

Kryetari i Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit në Maqedoni, Igor Tanturovski ka dhënë dorëheqje për shkak të përfshirjen së disa anëtarëve të këtij komisioni në afera të shpërdorimit të fondeve. Dorëheqje ka dhënë edhe një anëtar tjetër i komisionit, Goran Milenkov ndërsa jozyrtarisht, siç bëhet e ditur, dorëheqjet po i paralajmërojnë edhe dy anëtarët shqiptarë të këtij komisioni.

Afera u zbulua në raportin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet nën dyshimin se disa anëtarë të komisionit kanë marrë para nga buxheti i këtij komisioni më shumë se sa nevojat e tyre. Dyshimet janë se ata kanë marrë nga 350 euro për qira të banesave, ndërsa qiranë nuk e kanë paguar më shumë sesa 100 euro. Dhe veç kësaj, ata akuzohen edhe për falsifikim të faturave për harxhimet e udhëtimit që mbulohen nga buxheti i komisionit.

Dorëheqjet pasuan kritikat e shumta në opinion ndaj këtij komisioni, për faktin se në vend se të merret me luftimin e korrupsionit, anëtarët e tij ishin përfshirë në afera korrupsioni.

Drejtuesit e partive në pushtet publikisht kishin kërkuar dorëheqjet e anëtarëve të komisionit, në të kundërtën, kishin paralajmëruar nismën për shkarkimin e tyre në Kuvend.

Ndërkohë, Qeveria përmes një komunikate kishte bërë të ditur vendosmërinë e saj për tolerancë zero ndaj korrupsionit.

“Gjatë shtatë muajve të fundit kemi dëshmuar se nuk ka tolerancë për zyrtarët e emëruar e ndaj të cilëve ekzistojnë dyshime për keqpërdorime të parave të taksapaguesve. Të gjithë personat që kanë bërë keqpërdorime kanë bartur përgjegjësi”, thuhet në reagimin e Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi edhe nga anëtarët e komisionit anti-korrupsion.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se anëtarët e komisionit, përveç dorëheqjeve, duhet të përballen edhe me përgjegjësi juridike.

“Ky institucion i cili është dashur të merret me devijimet dhe me veprat penale, faktikisht del se aty është burimi i së keqes. Por, fatkeqësisht opinioni është i shpërqendruar me çështje tjera pasi që për këtë rast duhet edhe të protestohet dhe këta njerëz detyrimisht duhet të përgjigjen edhe penalisht për arsye se përgjegjësia e tyre është shumë më e lartë se e institucioneve tjera”, thotë Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore në Universitetin e Tetovës.

Komisionit anti-korrupsion edhe më parë është përballur me kritika për mbrojtjen e zyrtarëve të inkriminuar, apo se nuk ka ngritur asnjë procedurë për korrupsion para organeve të drejtësisë. Selmani, thotë se ky komision, ka dështuar në punën e tij, andaj edhe propozon shuarjen, ndërsa me luftimin e korrupsionit të merret një trup i veçantë në kuadër të organeve gjyqësore.

“Ky komision anti-korrupsion duhet të shkrihet pasi nuk ka kryer asnjë funksion në interesin e përgjithshëm dhe të formohet një trup i përhershëm brenda shtetit dhe të jetë i pavarur për nga mënyra e funksionimit, apo të jetë në kuadër të Prokurorisë Publike. Do të thotë, në momentin kur ka dyshime për veprimtari të paligjshme ai të veprojë si organ ndihmës, apo fare të mos ketë organ të tillë, por që të forcohet organi i akuzës. Kështu mendoj se mund të zgjidhet ky problem”, thotë Selmani.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit numëron shtatë anëtarë dhe të njëjtit me propozim të Qeverisë zgjidhen nga Kuvendi i Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG