Ndërlidhjet

Padi penale për keqpërdorimet në projektin “Shkupi 2014”


Pamje nga një shesh në Shkup, që është pjesë e projektit "Shkupi 2014".

Policia Financiare ka dorëzuar padi penale kundër ish-kryetarit të Komunës Qendër të Shkupit, Vladimir Todoroviq dhe dy ish-zyrtarëve të lartë të kësaj komune, për krim gjatë ndërtimit të urës “Syri”, që është pjesë përbërëse e projektit “Shkupi 2014”, për shkak se kanë dëmtuar buxhetin e komunës për 436 mijë euro.

Ndryshe, ndërtimi i urës “Syri”, që lidh dy anët e lumit Vardar tërësisht ka kushtuar 1.9 milion euro, që do të thotë një e katërta e mjeteve janë keqpërdorur, përkatësisht 436 mijë euro.

Nga Policia Financiare kumtuan se personat për të cilët kanë dorëzuar padi janë pajtuar që ta paguajnë dëmin plotësisht dhe se tanimë kanë marrë edhe konfirmim nga Komuna Qendër se të paraqiturit më 30 qershor, i kanë kthyer paratë e keqpërdorura në llogari të Komunës.

“Ata e pranuan veprën, do të thotë se kanë pranuar se kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të përgjigjen penalisht, pra procesi është në rrjedhë”, tha drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi.

Ndërkohë, i pyetur se pse shumë pak raste për të cilat nis procedura Policia Financiare marrin epilog gjyqësor, drejtori Arafat Muaremi , fajin për këtë gjë ia ka hedhur prokurorisë.

“Ne si institucion jemi të obliguar që të udhëheqim me procedurën parahetimore dhe më pas i gjithë dokumentacionin ku konstatohet se ka shkelje ligjore nga Policia Financiare i dorëzohet Prokurorisë Themelore Publike dhe më pas ata kanë përgjegjësi që lëndën ta çojnë deri në gjyq”, u shpreh Muaremi.

Ndërkohë, sa i përket keqpërdorimeve nga institucioneve tjera, ai shtoi se nëse kanë dyshime do të kryejnë hetime kudo që ka indicie se janë keqpërdorur mjetet e buxhetit të shtetit nga persona të caktuar të cilët kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.

Muaremi tha se betejën kundër krimit të organizuar e bëjnë në koordinim me Prokurorinë Speciale Publike për lëndë të caktuara.

“Kemi bashkëpunim me Prokurorinë Speciale Publike. Madje, disa lënë i udhëheqim bashkërisht dhe besoj se shumë shpejt do të kemi edhe rezultate të përbashkëta”, tha Muaremi.

Ekspertët juridikë thonë se është për t`u përshëndet kthimi i parave në arkën e shtetit, por kjo nismë për të hapëruar me sukses, derisa të bëhet leksion për keqbërësit se asnjë qindarkë nuk vlen të vidhet. Por, sipas tyre, institucionet e drejtësisë duhet të koordinojnë veprimet e tyre së bashku me dikasterin e financave dhe atë të sigurisë.

“Ligjet janë të mira. Mendoj se ato mundësojnë që me sukses të luftohet korrupsioni dhe kimi i organizuar. Mjafton të ketë vullnet politik për këtë gjë, nuk duhet pritur që të zbatohen reformat në sistemin gjyqësor, duhet vepruar tani, menjëherë. Njëherësh institucionet përkatëse që janë përgjegjëse për të luftuar këtë dukuri duhet të bashkërendojnë veprimet e tyre që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të jetë efektive”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-prokurori Jovan Trpenovski.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev gjatë fushatës zgjedhore u zotua se do të vendosë numëratorë në Portën Triumfale që do të shënojë çdo qindarkë të vjedhur që u kthehet qytetarëve, por kjo akoma nuk është realizuar.

XS
SM
MD
LG