Ndërlidhjet

Tregtia me votat e deputetëve, në kurriz të Gjyqësorit


Kuvendi i Maqedonisë

Kërkesa e Prokurorisë Speciale për lirimin nga paraburgimi të ish- shefit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov, të ish-ministrit të transportit, Mile Janakievski, ish-sekretarit të Qeverisë, Kiril Bozhinovski, si dhe të disa zyrtarëve dhe afaristëve të tjerë, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion duke e vlerësuar si sulm mbi Gjyqësorin dhe shkelje të premtimit të Qeverisë aktuale “Drejtësi për të gjithë”.

Veç kësaj, Qeveria ka iniciuar edhe ndryshimin e disa neneve të Kodit Penal për uljen e dënimeve me burgim për veprat që kanë të bëjnë me shpërdorimin e detyrës zyrtare.

Edhe kjo masë, sipas njohësve të çështjeve juridike, ka për qëllim lirimin apo uljen e dënimeve të ish-zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të detyrës.

“Sipas vlerësimit tim, rreth 50 për qind e procedurave që po udhëheq Prokuroria Speciale, do të vihen në pikëpyetje pasi nëse ulet dënimi, apo nëse anulohen disa nene, shumë lëndë gjyqësore do të vjetrohen. Pra, shumë punë e bërë do të bjerë në ujë. Sigurisht se kjo ka të bëjë me disa persona, të cilët pushteti aktual dëshiron t’i amnistojë, përfshirë të paktën edhe dy deputetë, të cilët votën e tyre për ndryshimet kushtetuese e kushtëzojnë me amnistinë”, thotë Aleksandar Tortevski, ekspert juridik dhe avokat në disa procese gjyqësore.

Nga Qeveria nuk është komentuar rasti, ndërsa pas reagimeve në opinion, ajo ka tërhequr propozimin, por më vonë sërish e ka vendosur në procedurë të miratimit.

“Ky është një skandal i përmasave të mëdha. Kur ligji ndryshohet me qëllim që t’u shërbehet një apo dy personave, kjo nuk është asgjë tjetër pos formë më e lartë e kriminalitetit. Kjo do të thotë se krimi kontrollon pushtetin gjyqësor, se drejtësia nuk është e barabartë për të gjithë”, thotë Tortevski.

Mirjana Najçevska, aktiviste për të drejtat e njeriut, konsideron se ndryshimet e tilla bëhen gjoja për të përshpejtuar integrimin euroatlantik, por me këto veprime, sipas saj, Evropa nuk do të arrihet pasi institucionet po dëshmojnë se nuk janë të gatshme t’i pranojnë vlerat evropiane për sundim të ligjit.

“Të gjitha këto lëshime që po bëhen paraqesin sulm mbi drejtësinë dhe kjo rrënon të gjitha shanset që të bëhemi pjesë e BE-së. Ne me këtë dëshmojnë se jo, nuk jemi të gatshëm të përqafojmë apo të zbatojmë vlerat evropiane në funksionimin e institucioneve. Amnistia ishte sulmi mbi drejtësinë, sikur edhe synimi për ndryshimin e rregullativës ligjore për uljen e dënimeve dhe apo mbylljen e proceseve pa epilog gjyqësor”, vlerëson Najçevska.

Aktualisht, procese gjyqësore janë duke u zhvilluar kundër pjesës dërrmuese të ish- zyrtarëve të lartë të Qeverisë së kaluar, por vetëm ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari, është dënuar me dy vjet burgim, si dhe ish-ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska, me gjashtë vjet burgim.

Proceset ndaj ish-zyrtarëve tjerë, ende janë pa epilog dhe shumë prej tyre edhe mund të anulohen nëse kalojnë ndryshimet në Kodin zgjedhor për uljen e dënimeve për veprën shpërdorim të detyrës zyrtare.

XS
SM
MD
LG