Ndërlidhjet

Presidentja kroate i demanton deklaratat e pretenduara për Bosnjën


Presidentja kroate, Kolinda Grabar Kitaroviq.

Presidentja e Krocisë, Kolinda Grabar Kitaroviq, mohoi se ka deklaruar se Bosnja dhe Hercegovina është shtet i paqëndrueshëm nën kontrollin e islamit militant.

Gazeta izraelite, Jerusalem Post, ka raportuar se Grabar Kitaroviq, e cila po viziton Izraelin ka thënë se Bosnja dhe Hercegovina “është shumë e paqëndrueshme dhe se në disa aspekte e kanë marrë përsipër njerëz të lidhur me Iranin dhe organizata terroriste”.

Grabar Kitaroviq: Bosnje e Hercegovina kontrollohet nga islami militant

Po ashtu sipas Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq ka deklaruar se Bosnja “është nën kontrollin e islamit militant, i cili është dominues në përcaktimin e qëndrimeve”.

Autorja e tekstit të diskutueshëm në Jerusalem Post, gazetarja Greer Fay Cashman, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se, Grabar Kitaroviq nuk i ka përmendur autoritetet në Bosnje.

“Presidentja e Kroacisë nuk ka folur për Iranin. Ajo e ka përmendur Iranin me një fjalë të vetme, të lidhur ngushtë me migrantët, që paraqiten si refugjatë dhe që në disa raste janë të lidhur me elemente të pakëndshme. Ajo nuk i ka përmendur autoritetet në Bosnje dhe vërejtjet e saj që lidhen me Iranin dhe terroristët u referohen vetëm disa migrantëve që kanë gjetur rrugën deri në Bosnje”, ka shkruar Cashman në një përgjigjje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

E përditshmja izraelite, “Jerusalem Post” ka larguar gjatë ditës një pjesë të artikullit, në të cilin gjendeshin deklaratat e pretenduara të presidentes kroate.

E pyetur nga gazetarët nëse deklaratat e pretenduara janë të vërteta, Grabar Kitaroviq u përgjigj:

“Absolutisht jo”.

Ajo ka thënë t’iu ketë shprehur autoriteteve izraelite dëshirën e saj për ta parë Bosnjën dhe vendet e tjera të rajonit të anëtarësuara në Bashkimin Evropian.

“Nuk kam dhënë intervista dhe nuk u kam dhënë deklarata gazetarëve përveç dy konferencave për shtyp”, tha presidentja kroate.

E pyetur të komentojë reagimet e ashpra të Bosnjës pas tekstit në Jerusalem Post, Grabar Kitaroviq tha:

“Këto janë komente mbi komentet e një gazetareje. Po e përsëris, nuk e kam thënë atë”.

Më herët anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Zhelko Komshiq, tha se Grabar Kitaroviq po vazhdon “aktivitetet propaganduese në dëm të Bosnjës, duke paraqitur gënjeshtra brutale”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kjo nuk është hera e parë që Grabar Kitaroviq ka bërë vlerësime të ngjashme gjatë paraqitjeve publike.

Dy vjet më parë ajo ka thënë se në Bosnje dhe Hercegovinë kthehen mijëra luftëtarë nga vatrat e luftës në Siri.

Rrjedhimisht sipas saj, në Bosnje armatosen myslimanë selafi dhe mijëra të tillë ndodhen në kufi me Kroacinë, përkatësisht me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG