Ndërlidhjet

Isa Mustafa rizgjidhet edhe për një mandat në krye të LDK-së


Kuvendi zgjedhor i LDK-së
Kuvendi zgjedhor i LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës, në Kuvendin e nëntë zgjedhor, ka zgjedhur me aklamacion Isa Mustafën në mandatin e tretë për kryetar, i cili ishte edhe kandidati i vetëm për udhëheqjen e partisë.

Mustafa pas përfundimit të procesit zgjedhor që zgjati rreth dy orë me dyer të mbyllura, tha se ka qenë një proces demokratik dhe i hapur duke ofruar mundësinë për të gjithë që të garojnë.

“Në LDK demokracia është më e rëndë se sa në subjekte tjera. Qëllimi i këtij procesi ka qenë që në ta forcojmë LDK-në, të përfshijmë njerëz të rinj që ndajnë mendime, ide dhe aspirate me LDK-në, ta pasurojmë në pikëpamje gjinore dhe të moshës si dhe të hapim perspektivë për të ardhmen që LDK të qëndrojë e para edhe për qeverisjen e vendit”, tha Mustafa.

Por, Fatmir Sejdiu, ish kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, post të cilin e kishte trashëguar nga ish presidenti Ibrahim Rugova, ka shprehur pakënaqësi për Kuvendin e nëntë zgjedhor të LDK-së, pasi që nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme që të kandidohet në garën për kryetar.

Sejdiu nuk arriti të fitojë votat e mjaftueshme 50+1 në ranundin e parë të votimeve, gjë që i pamundësoi vazhdimin e garës.

“Unë them se me këtë mënyrë të punës, me këtë ngecje, me këtë mënyrë të mungesës së guximit të njerëzve që nuk kanë mundësi për fjalën e lirë, unë nuk i mbështes. Këtë e kemi shenjë të keqe. Kam provuar ditëve të fundit që të kem kontakte me kryetarin e partisë, nënkryetarët rreth asaj për kryetarin konsensual. Unë kam tentuar që të kem përgjigje, por nuk e kamë marrë një të tillë”, ka dekalruar Sejdiu.

Edhe deputetja e LDK-së, Melihate Termkolli, tha se beson që ka pasur kushtëzime për rizgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

“Kjo u pa qartë, edhe Fatmir Sejdiut e ndoshta edhe dikujt tjetër që ka pasur dëshirë të kandidojë, iu është mohuar, kjo është një metodë që e kanë përdorur shërbimet e fshehta, kam frikë që I kanë frikësuar edhe delegatët”, tha Termkolli.

Kryetari i rizgjedhur i partisë Isa Mustafa, në fjalimin e tij pas procesit zgjedhor, tha se tani hapi i radhës për LDK-në do të jetë përgatitja për zgjedhjet qendrore, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Nga nesër do të fillojmë të përgatitemi për zgjedhje. Unë sot u kam bërë ftesë publike partive politike që të garojmë një nga një për zgjedhje dhe pastaj të bashkohemi me ata që na bashkon program”, shtoi Mustafa.

LDK njihet si parti që përpiqet të trashëgojë frymën politike të liderit dhe themeluesit të saj, Ibrahim Rugova.

Lexoni edhe këtë Thaçi kërkon mandatar për kryeministër, Veseli shpërbërjen e Kuvendit

XS
SM
MD
LG