Ndërlidhjet

Greva bllokon trafikun në Hong Kong


Pamje nga Hong Kongu ditë më parë.
Pamje nga Hong Kongu ditë më parë.

Trafiku rrugor është bllokuar dhe të paktën 100 fluturime janë anuluar pas nisjes së grevës së përgjithshme të thirrur nga aktivistët pro-demokratikë të hënën në Hong Kong.

Liderja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se protestat janë duke shtyrë qytetin “në një situatë shumë serioze” dhe janë duke rrezikuar statusin e tij gjysmë-autonom.

Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ushtria kineze ka kërcënuar me dërgim të trupave në këtë territor për të ndalur protestat.

“Aksione të tilla në emër të disa kërkesave kanë dëmtuar rëndë ligjin dhe rregullin në Hong Kong, dhe janë duke shtyrë qytetin tonë, qytetin që ne duam dhe shumë prej nesh ndihmuan në ndërtim, drejt një situate shumë serioze”, ka thënë Lam para gazetarëve.

Protestuesit pro-demokratikë kanë bërë thirrje për greva të përgjithshme, për t’iu bërë presion liderëve të Hong Kongut, që janë të afërt me Pekinin.

Hong Kongu, ish-koloni britanike, është pjesë e Kinës, por gëzon liri unike që nuk shihen në pjesën tjetër të shtetit.

Protestat në këtë vend fillimisht kanë nisur si pasojë e një projektligji, që parashihte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë.

Ky projektligj është pezulluar, mirëpo kërkesat e protestuesve janë rritur, duke përfshirë thirrjet për zgjedhje të drejtpërdrejta, ndryshime legjislative dhe hetime për një varg çështjesh.

XS
SM
MD
LG