Ndërlidhjet

Jeffrey Epstein "ka nënshkruar testament dy ditë para vdekjes"


Jeffrey Epstein.
Jeffrey Epstein.

Financieri amerikan, Jeffrey Epstein ka nënshkruar një testament dy ditë para se të kryente vetëvrasje në një burg të Nju Jorkut, kanë raportuar mediat në Shtetet e Bashkuara.

Në disa dokumente të gjykatës është bërë e ditur se pasuria e Epstenit kap shifrën e 577 milionë dollarëve, mirëpo nuk është detajuar se kush janë përfituesit, ka raportuar agjencia e lajmeve, The Associated Press.

Epstein ka vdekur teksa ka qenë duke pritur nisjen e seancës gjyqësore kundër tij për akuzat e trafikimit seksual dhe komplote tjera.

Një ekzaminues mjekësor në Nju Jork ka thënë se 66-vjeçari, trupi i të cilit është gjetur i vdekur më 10 gusht, ka kryer vetëvrasje.

Ai ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë kundër tij, mirëpo ka mundur të përballet me burgim deri në 45 vjet.

Ditë më parë, Prokurori i Përgjithshëm amerikan, William Barr, ka thënë se Departamenti i Drejtësisë ka gjetur “parregullësi serioze” në burgun federal ku Epstein ka kryer vetëvrasje.

Barr po ashtu ka paralajmëruar se ky rast nuk është as afër përfundimit dhe se kushdo që ka bërë komplot me Epstein “nuk duhet të pushojë i qetë”.

XS
SM
MD
LG