Ndërlidhjet

Prokurorja Speciale merret në pyetje për rastin “Reketi”


Kryeprokurorja Speciale në dorëheqje, Katica Janeva, foto nga arkivi
Kryeprokurorja Speciale në dorëheqje, Katica Janeva, foto nga arkivi

Kryeprokurorja Speciale në dorëheqje, Katica Janeva, të martën është paraqitur në Prokurorinë Themelore për krim të organizuar dhe korrupsion, në cilësinë e dëshmitares për rastin e njohur si “Reketi”, të zhvatjes nga afaristi, Orce Kamçev të 1.5 milion euro nga Bojan Jovanovski, pronar joformal i një medias televizive dhe Zoran Mileski.

Të dy këta persona ndodhen në paraburgim ndërsa dyshohet të kenë lidhje me Prokuroren Speciale, Katica Janeva, në emër të së cilës edhe i kanë premtuar afaristit se do të ketë lehtësira gjyqësore në një proces tjetër gjyqësor që zhvillohet kundër tij.

Pikërisht për këto lidhje dhe bazuar në video incizimet që janë nxjerr nga një gazetë italiane “La Verita”, Katica Janeva ishte ftuar të dëshmojë në organin e akuzës.

“Sa i përket dëshmisë time shpresoj se me argumente do të përshpejtojë hetimin e rastit. Unë ende jam prokurore Speciale, prokurorët e mi po punojnë lëndët dhe besoj se këtë vjeshtë do të ketë epilog për disa nga lëndët që jemi duke proceduar”, ka deklaruar Janeva duke iu shmangur interesit të mediave për çështjet tjera lidhur me këtë rast që ka shkaktuar polemika të shumta në skenën politike dhe më gjerë.

Për shkak të humbjes së besimit në Prokurorinë e rregullt, ishte themeluar Prokuroria Speciale për të hetuar të gjitha shpërdorimet që janë bërë nga qeveria e kaluar dhe që nga formimi i saj në shtator të vitit 2015, ajo ka ngritur 17 padi kundër 94 personave. Por, dyshimet për përfshirjen e kreut të saj, Janeva në këtë skandal, ka bërë që opozita të akuzoj gjithë qeverinë për përfshirje në krim të organizuar.

“Prokuroria Speciale dhe Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev, nuk kanë më asnjë kredibilitet. Katica Janeva së bashku me Bojan Jovanovskin, kanë zhvatur personalitete të ndryshme dhe gjysma e Qeverisë, përfshirë edhe Zaevin, kanë qëndruar pas tyre duke ua mbrojtur shpinën".

"Ky rast ka zbuluar rrjetin më të madh kriminal në vend dhe kryeministri vet ka pranuar se kohë më parë ka patur dijeni për skandalin. A thua pse nuk ftohet edhe Zaevi në Prokurori për të dëshmuar për rastin”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Por, nga Lidhja Social Demokrate e kryeministrit, Zoran Zaev, kanë hedhur poshtë pretendimet duke theksuar se përmes këtij rasti, të orkestruar siç thonë nga opozita, kreu i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, po tenton të fsheh lidhjet me ish kryeministrin e arratisur, Nikolla Gruevski.

“Është e udhës që Mickoski të përgjigjet se a është takuar me Nikolla Gruevskin, gazetarin italian që ka publikuar video incizimet për rastin “Reket”, por edhe me njerëz të tjerë. VMRO DPMNE-ja assesi nuk po del nga filmat e konfliktit. Kur thonë se do të bllokojnë institucionet, a thua ndoshta mendojnë në bllokimin e institucioneve, ashtu siç bënë me ngjarjet në Kuvend, më 27 prill”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

VMRO-ja opozitare, ndërkohë, ka paralajmëruar për në shtator protesta dhe forma tjera të shprehjes së pakënaqësisë, duke mos përjashtuar edhe bojkotin e institucioneve. Zbardhjen e rastit “Reketi” në vazhdimësi e kanë kërkuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, si shumë të rëndësishëm për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

XS
SM
MD
LG