Ndërlidhjet

Ish-kryeprokurorja speciale dyshohet për përfshirje në ryshfet


Ish-kryeprokurorja speciale, Katica Janeva. Fotografi nga

Dorëheqja e kryeprokurores speciale, Katica Janeva dhe dyshimet që dolën më pas nga Prokuroria për Krim të Organizuar për përfshirjen e mundshme të saj në një rast të ryshfetit dhe shantazhit, kanë dëshmuar, sipas opozitës, pretendimet e saj, se kjo prokurori tashmë ka humbur besueshmërinë.

Policia të hënën në mbrëmje ka bastisur banesën e kryeprokurores së dorëhequr, Katica Janeva, të cilës i është marr celulari për shkak të dyshimeve për lidhshmëri mes drejtuesin e televizionit 1 TV, Bojan Jovanovski dhe një afaristi tjerë, Zoran Milevski, të cilët janë paraburgosur pas denoncimeve se kanë marrë 1.5 milion euro nga një afarist Orce Kamçev, duke i premtuar masa lehtësuese, apo edhe lirim nga akuzat në procesin gjyqësor që po zhvillohen kundër tij.

“Ne kemi dyshime serioze se porositës i gjithë kësaj është kreu i Qeverisë, gjegjësisht kreu i LSDM-së (Zoran Zaev). Kjo është edhe një dëshmi se te ne sundon korrupsioni, reketi e shantazhi. Gjitha ajo që ka ndodhur periudhën e kaluar me Prokurorinë Speciale, flet qartë rast se ky institucion ka shërbyer vetëm si instrument për pazare politike, instrument për kërcënime e shantazhe për interesa personale”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së opozitare, Dimçe Arsovski.

Edhe opozita shqiptare ka reaguar duke theksuar se dyshimet e ngritura ndaj ish-kryeprokurores, Katica Janeva, kanë rrënuar besueshmërinë e këtij institucioni.

“Prokuroria Speciale me ngjarjet e djeshme ka humbur shumë nga besueshmëria e saj edhe pse ajo i është lëkundur që më herët për shkak të drejtësisë selektive të kësaj prokurorie. Ngjarjet e djeshme vetëm se konfirmojnë atë që ne më herët e kemi thënë se Prokuroria Speciale nuk ka qasje të drejtë ndaj lëndëve që i ka si kompetencë që të veprojë”, ka deklaruar deputeti i lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.

Por, nga Lidhja Social-Demokrate (LSDM) kanë reaguar duke thënë se rasti i fundit i Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar, është dëshmi se Qeveria është e përkushtuar për luftimin e korrupsionit, pavarësisht se për cilin personaliteti bëhet fjalë.

“Shteti ka ndërtuar institucione dhe ka krijuar sistem të cilët luftojnë korrupsionin dhe kriminalitetin. Të gjithë janë njësoj para ligjit, ndërsa drejtësi patjetër se do të ketë. LSDM-ja fton institucione që të realizojnë hetim të pavarur dhe thellësisht të punojnë sipas ligjeve, me qëllim që të mbizotërojë e drejta në vendin tonë”, thuhet në një komunikatë të LSDM-së.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që është pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, besojnë se institucionet do të zbardhin deri në fund këtë rast, ndërsa theksojnë nevojën për nisjen e një vettingu që do të përfshijë të gjitha sferat e sistemit të drejtësisë dhe më gjerë.

“Vlerësojë se institucionet duhet ta bëjnë punën e vet, ndërsa ne të tjerët t’i mbështesim ato që të zhvillojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paanshme dhe të mos ushtrojnë më drejtësi selektive”, ka deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Katica Janeva, në postin e prokurores speciale ishte emëruar më 15 shtator të vitit 2015, me mbështetje edhe të opozitës, ndërsa qëllimi kryesor i punës së saj ishte hetimi i aferës së përgjimeve, që ishte publikuar në shkurt të 2015-ës nga lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kësaj periudhe, Prokuroria Speciale ka ngritur 17 padi penale kundër 94 personave, përfshirë edhe ndaj ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari, për t'i ikur vuajtjes së dënimit prej dy vjet burgim.

XS
SM
MD
LG