Ndërlidhjet

Në Rumani shkatërrohet një rrjet i trafikimit dhe abuzimit me fëmijë


Foto ilustrim.

Autoritetet e Rumanisë njoftuan se kanë shkatërruar një rrjet të trafikimit, abuzimit dhe skllavërimit me fëmijë.

Drejtorati për hetime të krimit të organizuar dhe terrorizmit, bastisi 8 shtëpi, si pjesë e hetimit ndaj 8 personave, nën dyshimin e trafikimit dhe abuzimit të fëmijëve gjermanë, të cilët dyshohet se ishin mbajtur në kushte të robërisë.

Femijët, të moshave ndërmjet 12 dhe 18 vjeçare ishin privuar nga ushqimi, dhe ishin të detyruar të bënin punë të mundimshme. Disa prej tyre janë përpjekur të vrasin veten, raportoi Rumania Journal.

Një çift gjerman është në mesin e të dyshuarve.

Ata drejtuan "Project Maramures", një program i regjistruar në Gjermani, për të rinjtë me probleme, por që dyshohet se ishte një rrjet për trafikimin e qenieve njerëzore.

Projekti u licencua nga ministria e Punës e Rumanisë, dhe kishte fonde nga shteti gjerman.

Abuzimi i fëmijëve dyshohet se ka ndodhur nga viti 2014 deri në muajin gusht të këtij viti.

"Në të vërtetë, të rinjtë u mbajtën peng, u ndaluan të flisnin me familjet e tyre në Gjermani, ose me njerëz të tjerë apo autoritetet në Rumani, dhe ata u detyruan të bënin punë të mundimshme në familjet vendase, afër grupit kriminal, me arsyetimin e një të ashtuquajturi program riedukimi”, thanë zyrtarët policorë.

Autoritetet nuk njoftuan se sa fëmijë ishin viktima, por disa prej tyre u dërguan në kujdestari të shërbimeve për mbrojtjen e fëmijëve.

Në faqen e internetit të projektit thuhet se 61 fëmijë ishin nën kujdes që kur filloi programi.

XS
SM
MD
LG