Ndërlidhjet

BE-ja zotohet për të punuar në ruajtjen e marrëveshjes bërthamore


Shefja për Politikë të Jashme e BE-së, Federica Mogherini, teksa ka arritur në Helsinki.
Shefja për Politikë të Jashme e BE-së, Federica Mogherini, teksa ka arritur në Helsinki.

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të punojë për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore që Irani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, mirëpo blloku evropian është i hapur për ndonjë përparim përtej saj.

Shefja për Politikë të Jashme e BE-së, Federica Mogherini, i ka bërë këto komente më 30 gusht në Helsinki gjatë një takimi të ministrave të Jashtëm të bllokut evropian, në të cilin pritet të diskutohet për marrëveshjen bërthamore dhe sigurinë e transportit ujor në Gjirin Persik.

“Roli im është të ruaj dhe të zbatoj plotësisht marrëveshjen ekzistuese. Po e them sërish, nëse ka diçka që ne mund të krijojmë, atëherë ajo do të mirëpritej nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Mogherini para gazetarëve.

Mogherini pritet të realizojë më vonë takime me ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, vende të cilat vazhdojnë të jenë zbatuese të këtij dokumenti, që parasheh heqjen e sanksioneve ndërkombëtare për Iranin, në këmbim të frenimit të aktivitetit bërthamor.

Kjo marrëveshje është rrezikuar prej kur Shtetet e Bashkuara janë tërhequr një vit më parë nga ky pakt dhe kanë rikthyer të gjitha sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.

Ndërkohë, tensionet janë rritur edhe për Ngushticën strategjike të Hormuzit, pasi Irani ka kapur disa anije perëndimore.

Britania i është bashkuar misionit të Uashingtonit për të mbrojtur transportin e naftës në këtë rajon.

Shtetet tjera evropiane kanë hezituar që të bashkohen në këtë mision, duke u shqetësuar se rritja e prezencës së forcave të tyre mund të përshkallëzojë situatën duke çuar në konflikt të armatosur.

XS
SM
MD
LG