Ndërlidhjet

Dënohet me dy vjet e gjysmë me kusht gruaja e kthyer nga Siria


Ilustrim.
Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtore për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist” Merita Aliun, e cila është njëra prej grave të kthyera nga Siria në Kosovë në muajin prill të këtij viti.

Ajo u dënua me 2 vjet e gjysmë burgim me kusht.

“Është dënuar me dënim me kusht prej dy vjetësh e gjysmë, pra në periudhën tjetër trevjeçare të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale”, tha avokatja mbrojtëse, Leonora Dervishaj – Pacolli.

Pas kthimit në Kosovë, Aliu e ka pranuar fajësinë dhe ka thënë se është penduar që ka shkuar në Siri.

“Edhe në intervistën e parë që e ka pasur, edhe në gjykatë, nga fillimi është shprehur e penduar që ka shkuar atje”, tha për Radio Evropa e Lirë avokatja Leonora Dervishaj – Pacolli.

Aliu, si dhe gratë e tjera të kthyera nga Siria, kanë shkuar në periudha të ndryshme atje dhe kanë qëndruar derisa institucionet e Kosovës kanë organizuar një operacion të koordinuar me akterë ndërkombëtarë për kthimin e tyre.

Në muajin prill të këtij viti, institucionet e Kosovës kthyen në Kosovë 110 kosovarë, duke përfshirë, 4 luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

Pas arritjes në territorin e Kosovës, katër luftëtarët e huaj u arrestuan menjëherë ndërkohë që ndaj të 32 grave filluan hetimet.

Pas marrjes në pyetje, atyre iu caktua masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, disa nga 74 fëmijët, të hënën, më 2 shtator, filluan mësimin në institucione të rregullta shkollore.

XS
SM
MD
LG