Ndërlidhjet

Hong Kongu do ta tërheqë zyrtarisht projektligjin që shkaktoi trazira


Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam.
Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, do të njoftojë të mërkurën tërheqjen zyrtare të projektligjit për ekstradim.

Ky projekt-ligj shkaktoi trazira për muaj të tërë në Hong Kong, pasi përmes tij lejohej ekstradimi i banorëve të Hong Kongut në territorin e Kinës.

Protestat, u nxitën për shkak të këtij projekt-ligji, mirëpo më pas u zgjeruan në një lëvizje më të gjerë, që bënte thirrje për hetime të pavarura të brutalitetit të policisë, dhe për demokraci më të madhe në Hong Kong.

Ende nuk është e qartë nëse tërheqja zyrtare e projektligjit do të ndalë trazirat.

Lam ka thënë më parë se projekt-ligji ishte "i vdekur", por ajo nuk e tërhoqi atë.

Të martën, udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, mohoi se ka ofruar dorëheqje, edhe pse, sipas disa audio-incizimeve, që rrodhën në publik, ajo tha se do ta bënte një gjë të tillë.

"Sikur të kem zgjedhje, gjëja e parë do të ishte dorëheqja", u dëgjua të ketë thënë Lam në një takim privat të udhëheqësve të biznesit.

Hong Kongu i është dorëzuar Kinës nga Britania në vitin 1997, nën parimin "një shtet, dy sisteme".

Sipas këtij parimi, Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.

Pekini, ndërkaq, ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG