Ndërlidhjet

Kosova dhe Maqedonia e Veriut heqin pengesat doganore


Ilustrim.
Ilustrim.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë hequr barrierat tregtare për disa prodhime dhe nga dita e enjte eksporti dhe importi i mallrave mes dy vendeve zhvillohet pa pengesa.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës në fillim të muajit gusht kishte ndaluar importin e mjaltit dhe patateve nga Maqedonia e Veriut si përgjigje ndaj vendimit të autoriteteve maqedonase për ndalimin e eksportit të rasatit të peshkut nga Kosova.

“Edhe pse me një javë vonesë, Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Kosovës ka dorëzuar programin për zbatimin e monitorimit aktiv dhe pasiv të peshqve dhe vezëve të tyre dhe në përputhje me këtë, Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë e Maqedonisë së Veriut përsëri e ka vendosur Kosovën në listën e vendeve nga ku mund të importohen produkte te peshkut nga Maqedonia e Veriut, dhe me këtë edhe Kosova ka hequr ndalimin e importit të patateve dhe mjaltit në vendin tonë. Tanimë janë hequr plotësisht pengesat e krijuara nga të dy palët”, ka deklaruar Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.

Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut nuk do të bëjë kompromise kur bëhet fjalë për standardet që duhet të plotësohen në bazë të rregullativës evropiane.

Sipas tij, masat ndaluese nuk ishin ndërmarrë vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha vendet që nuk zbatojnë monitorim aktiv dhe pasiv rreth prodhimeve të peshkut.

Heqja e barrierave tregtare erdhi edhe si rezultatet i presioneve të afaristëve të cilët thanë se dy qeveritë duhet të rishqyrtojnë vendimet pasi ato ndikojnë negativisht në zhvillimin e bizneseve.

XS
SM
MD
LG