Ndërlidhjet

Merkel kërkon të mbrohen të drejtat e banorëve të Hong Kongut


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Kinës,  Li Keqiang.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministri i Kinës,  Li Keqiang.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se duhet të mbrohen të drejtat dhe liritë e banorëve të Hong Kongut, ndërsa zgjidhja e krizës politike që ka përfshirë qytetin, duhet të bëhet përmes dialogut.

Merkel i bëri komentet në takim me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, në Pekin.

Hong Kongu, rajon gjysmë-autonom i Kinës, është përfshirë nga protestat antiqeveritare tash e saj muaj dhe ato shpesh kanë shpërthyer në dhunë.

Protestat fillimisht kanë nisur kundër një ligji për ekstradimin, por më pas ato janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë për më shumë demokraci.

Merkel tha se për Hong Kongun duhet "zgjidhje paqësore".

"Të drejtat dhe liritë e theksuara në Ligjin Themelor duhet të mbrohen", shtoi ajo.

Ligji Themelor është kushtetuta de-fakto e Hong Kongut, e cila i garanton qytetit të drejta të caktuara demokratike që nuk shihen në pjesën tjetër të Kinës.

Ligji për ekstradimin, i cili ka qenë nxitës i protestave, është tërhequr.

Kërkesat e demonstruesve në Hong Kong përfshijnë tani dorëheqjen e udhëheqëses Carrie Lam, lirimin e demonstruesve të arrestuar dhe liri më të mëdha zgjedhore nga Pekini për vetëqeverisje.

Protesta të reja priten në fundjavë.

XS
SM
MD
LG