Ndërlidhjet

Zemërim në Gjermani për zgjedhjen e një "neo-nazisti" kryetar qyteti


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarë të lartë të partive qeverisëse në Gjermani shprehën zemërimin e tyre për, siç thanë, zgjedhjen e një neo-nazisti kryetar i një qyteti në shtetin Hese.

Stefan Jagsch, nga Partia Kombëtare Demokratike e ekstremit të djathtë, u zgjodh kryetar i qytetit Valdzidlung - pranë Frankfurtit - i cili ka rreth 2,650 banorë.

Jagsch nuk pati asnjë kundërkandidat dhe këshilltarët lokalë, që përfaqësojnë Demokristianët e kancelares Angela Merkel, partnerin e tyre qeverisës, Partinë Social-Demokrate, dhe Partinë e Demokratëve të Lirë, votuan për Jagschin.

Udhëheqësja e Demokristianëve, Annegret Kramp-Karrenbauer, kërkoi anulimin e zgjedhjeve.

Sekretari i saj i përgjithshëm, Paul Ziemiak, tha se "zgjedhja e një anëtari të një partie që ndjek synime antikushtetuese, është turp".

Sekretai i përgjithshëm i Social-Demokratëve, Lars Klingbeil, tha se partia e tij ka qëndrim të qartë dhe se "nuk bashkëpunon me nazistët".

Jagsch premtoi se "do të punojë për interesat e qytetit".

Partia kryesore e ekstremit të djathtë në Gjermani është Alternativa për Gjermaninë.

Partia Kombëtare Demokratike është shumë më e vogël dhe ka fituar vende vetëm në asambletë rajonale.

Në vitin 2017, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë ka vendosur kundër ndalimit të Partisë Kombëtare Demokratike, duke thënë se ajo është "antikushtetuese", porse nuk është në gjendje të rrëzojë rendin demokratik të Gjermanisë.

XS
SM
MD
LG