Ndërlidhjet

Vendeve në botë u kërkohet të investojnë në përshtatje ndaj klimës


Raporti për klimën

Vendet duhet të zbatojnë më shumë sisteme përshtatjeje për t'u mbrojtur kundër efekteve negative të ndryshimit të klimës, tha një grup i 34 udhëheqësve në politikë, biznes dhe shkencë.

Në raportin e lëshuar të martën, Komisioni Global për Përshtatjen tha se investimi i 1.8 trilion dollarëve në pesë fusha kryesore gjatë dekadës së ardhshme, mund të sjellë 7.1 trilionë dollarë përfitime ekonomike.

Komisioni, i udhëhequr nga ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, themeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, dhe shefja ekzekutive e Bankës Botërore, Kristalina Georgieva, ka si qëllim ngritjen e përshtatjeve klimatike në agjendën globale, përpara një samiti të OKB-së për klimën, që do të zhvillohet në Nju Jork, më 23 shtator.

Raporti u bën thirrje vendeve që të investojnë në sistemet e paralajmërmit të hershëm të stuhive, baticave të larta dhe motit tjetër ekstrem.

Raporti identifikon edhe katër fusha të tjera ku duhen investime: infrastruktura rezistente ndaj klimës, siç janë rrugët, ndërtesat dhe urat; përmirësimi i bujqësisë në tokat e thata; mbrojtja e pyjeve dhe mbrojtja e furnizimit me ujë.

Pa veprime të menjëhershme, Ban tha se "ndryshimi i klimës mund të çojë më shumë se 100 milionë njerëz në vendet në zhvillim nën kufirin e varfërisë".

"Ndryshimi i klimës nuk i respekton kufijtë", tha ai.

Raporti thekson se përshtatja ndaj klimës mund të ndihmojë në shmangien e humbjeve në të ardhmen, të nxisë inovacionin dhe të sjellë përfitime sociale dhe mjedisore.

XS
SM
MD
LG