Ndërlidhjet

Thaçi: SHBA-ja mbetet e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbesin garancë për proceset euroatlantike të vendit.

Ai gjatë qëndrimit në Nju Jork - ku po zhvillohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara - ka takuar ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker, dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

Duke folur për takimet me zyrtarët e lartë amerikanë, Thaçi ka thënë se “Kosova po kalon në një proces elektoral demokratik, që do të prodhojë një Qeveri, e cila do të merret menjëherë me sfidat që e presin vendin”.

“Partitë politike dhe institucionet e Kosovës, do të angazhohen që Qeveria e re të formohet sa më parë dhe të merret me sfidat dhe nevojat urgjente të Kosovës”, ka shtuar Thaçi.

Sipas një komunikate nga zyra e presidentit, ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker, u shpreh se SHBA-ja mbetet e interesuar dhe e përkushtuar për një Ballkan Perëndimor në paqe e stabilitet, me perspektivë të qartë evropiane.

Gjatë takimeve, presidenti Thaçi e ka mirëpritur emërimin e Mathew Palmer si të dërguar të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Kjo është shenjë se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për paqe e progres në Ballkanin Perëndimor. Kjo në anën tjetër, na jep neve garancë dhe besim në procesin e dialogut me Serbinë dhe në të ardhmen euro-atlantike të vendit dhe rajonit tonë”, ka thënë Thaçi.

Në fund të muajit gusht, Shtetet e Bashkuara emëruan diplomatin Palmer si të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Ky veprim i SHBA-së është parë si shtytje për rifillimit e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje të normalizimit të raporteve.

Dialogu është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe dhe të Bosnjës.

Kjo masë, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është një kundërpërgjigje ndaj fushatës agresive të Serbisë, për të ndalur anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian presin që qeveria e ardhshme të adresojë menjëhërë çështjen e taksës në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut.

XS
SM
MD
LG