Ndërlidhjet

Trump inkurajon Indinë dhe Pakistanin të punojnë në dallimet mes tyre


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka inkurajuar liderët e Pakistanit dhe Indisë, në disa takime të ndara në Nju Jork, që të punojnë në tejkalimin e dallimeve të tyre, duke përfshirë konfliktin disa-dekadësh për rajonin e Kashmirit.

“Unë iu thashë ‘Njerëz, punoni në këtë drejtim. Vetëm punoni’”, ka thënë Trump para gazetarëve në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Këto dyja janë shtete me fuqi bërthamore. Ato duhet të punojnë në atë drejtim”, ka shtuar ai.

Pakistani dhe India janë përfshirë në tri lufta prej kur kanë fituar pavarësinë nga Britania më 1947, dy prej të cilave kanë qenë rreth kontrollimit të Kashmirit, rajonit të ndarë të Himalajeve, për të cilin kanë pretendime të dyja shtetet.

Tensionet në mes të dy rivalëve janë përshkallëzuar pasi kryeministri indian, Narendra Modi i ka tërhequr muajin e kaluar statusin special Kashmirit që administron.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të merren me çështjen e Kashmirit, duke mos përjashtuar mundësinë që Trump të jetë edhe ndërmjetësues, ndonëse India ka refuzuar një ndërhyrje të tillë.

Khan ka paralajmëruar për pasojat e shtypjes që po bëhet nga pala indiane në Kashmir.

“Për 50 ditë, njerëzit e Kashmirit kanë qenë të bllokuar nga 900,000 ushtarë”, ka thënë Khan duke cituar arrestimet masive, mosfunksionimin e spitaleve dhe “terrin informativ”.

India në anën tjetër ka arsyetuar marrjen e këtij vendimi me mundësi më të lehta për luftim të terrorizimit.

XS
SM
MD
LG