Ndërlidhjet

Kreu i Komitetit Ushtarak të BE-së në Shkup: Kujdes nga sulmet kibernetike


Ilustrim
Ilustrim

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, gjenerali Claudio Graziano ka tërhequr vërejtjen për kujdes nga sulmet e mundshme kibernetike, në veçanti pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e Aleancës Veriatlanike.

Gjenerali italian që drejton Komitetin Ushtarak të BE-së, ndodhet në vizitën e parë në Shkup, ka thënë se me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe hapjen e rrugës së anëtarësimit në BE ndryshon baraspesha dhe me këtë rriten edhe mundësitë për sulme kibernetike.

"Sulmet kibernetike ndodhin çdo ditë, çdo moment, çdo sekondë dhe duhet vazhdimisht të investojmë. Ne vazhdimisht jemi në luftë, me lloje të ndryshme të luftë, por jemi në luftë të përhershme. Nëse bëheni pjesë e NATO-s duhet të keni më shumë kujdes pasi mund të përballeni me më shumë sulme kibernetike pasi ndani informacione ushtarake me vendet tjera anëtare të NATO-s”, ka deklaruar gjenerali Graziano, në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA.

“Lufta kibernetike është një sfidë e re, diçka e re në biznesin ushtarak, një mënyrë e re lufte që i prek të gjitha shtetet, të gjitha organizatat. Kjo kërkon jo vetëm përgjigje teknologjike, por edhe përgjigje në raport me sundimin e së drejtës. Evropa është krijuar mbi vlerat, por njerëzit që sulmojnë nuk udhëhiqen nga këto vlera. Do të gjejmë mënyra të përbashkëta që të përgjigjemi në shkëmbimin e informatave. Sulmet kibernetike janë pjesë e luftës hibride dhe kemi shumë shembuj për këtë”, është shprehur Kryesuesi i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian.

Gjenerali Graziano ka thënë se Maqedonia e Veriut ka bërë gjithçka që është kërkuar prej saj për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por se vendimi megjithatë i takon vendeve anëtare të unionit.

Ndryshe, edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo gjatë vizitës të premten në Ohër të Maqedonisë së Veriut ka tërhequr vërejtjen për kujdes nga ndikimet e jashtme.

Pompeo tha se “zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë duhet ta udhëheqin shtetin e jo ndikimet ruse në rrjetet sociale”.

“Demokracitë duhet të thirren në brengat e qytetarëve dhe të luftojnë kundër ndikimeve të këqija. Zemra dhe mendja e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet ta udhëheqin shtetin para dhe jo ndikimet ruse në rrjetet sociale... Do të doja t’ua tërheq vëmendjen edhe për pjesëmarrjen e Kinës në fushën e teknologjive të ndjeshme...Presidenti Trump në Kombet e Bashkuara tha se e ardhmja u takon shteteve sovrane dhe të pavarura që i mbrojnë qytetarët e saj dhe të respektojnë fqinjët”, ka thënë Pompeo.

XS
SM
MD
LG