Ndërlidhjet

Kosova voton


Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote, zgjedhin sot përfaqësuesit e tyre për përbërjen e re të Kuvendit, nga i cili do të zgjidhet më pas edhe qeveria e re e Kosovës me mandat katërvjeçar.

Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 900 mijë qytetarë.

Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kanë njoftuar se të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën e paraparë, me përjashtim të disa qendrave të vogla që ka pasur vonesa të vogla.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në orën 11:00 kanë votuar 9.6 për qind apo 170 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që po zhvillohen sot, kanë 1.937.868 votues të regjistruar.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë thirrje për kujdes nga të gjitha palët për mbarëvajtje të procesit.

"I ftoj të gjithë qytetarët, të gjitha subjektet politike dhe komisionerët që të kenë kujdes, pasi procesi që nga ky moment është në duart e tyre, ta kemi parasysh se çdo gjë që ndodh gjatë ditës do t’i faturohet Kosovës", tha Daka.

Daka bën thirrje për mbarëvajtje të procesit zgjedhor
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:01:23 0:00

DnV: Parregullsitë në procesin zgjedhor

Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se deri në orën 9:30 kanë votuar mbi 102 mijë qytetarë apo 6 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Mexhide Demolli-Nimani nga ky koalicion, në një konferencë për media ka thënë se në përgjithësi procesi zgjedhor është i qetë, por nuk kanë munguar parregullsitë.

Sipas saj, parregullsitë më te shpeshta janë vështirësitë e gjetjes së vendvotimeve, në 1000 vendvotime.

"Probleme tjera janë paraqitur në asistenca në votim. Sipas rregullave zgjedhore, asistenca në votim nuk mund të ofrohet më shumë se një herë, nga i njëjti qytetar. Kurse deri në orën 9;00 janë raportuar 5283 raste të asistencës, ndërkaq 46 raste një person ka ofruar asistencë më shumë se dy herë, kurse në 29 raste është evidentuar fotografimi i votës”. tha Demolli- Nimani.

Misioni i BE-së: Procesi i votimit po shkon mirë

Kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, pasi ka vizituar disa qendra të votimit në Prishtinë në orët e hershme, ka bërë të ditur se procesi i votimit po shkon me rregull.

“Procedura e hapjes së (vendvotimeve) ka shkuar shumë qetë. Kemi pasur disa incidente të vogla, por procedura për aq sa kemi mundur ta monitorojmë ka nisur pa asnjë problem”, ka thënë Cramon Taubadel.

Cramon-Taubadel ka bërë të ditur se 58 ekipe monitoruese të BE-së në teren janë prezente për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

“Duket qetë, por ende është herët të thuhet për shkak se kanë kaluar pak orë nga hapja e vendvotimeve. Është tejet herët të supozoj, por në fund të fundit nuk ka asnjë indikacion të madh për t’u shqetësuar,” është shprehur Viola von Cramon-Taubadel.

Video: Votimet në Mitrovicën e veriut

Votimet në Mitrovicën e veriut
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:31 0:00

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, përmes rrjetit social Twitter ka bërë thirrje për dalje në votime.

"Në Kosovë si dhe në Amerikë, çdo votë numërohet. Secili zë ka rëndësi. Pa marrë parasysh pikëpamjet tuaja, këdo që mbështetni - më 6 tetor, dilni të votoni. Për veten, shtetin dhe të ardhmen", tha Kosnett.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Facebook, ka ftuar qytetarët për pjesëmarrje në zgjedhje.

"Sot Kosova zgjedh legjislaturën e re, që do të nxjerrë edhe qeverinë e re të Kosovës, e cila duhet të përmirësojë jetën e qytetarëve tanë dhe të përballet me sfidat që i kemi përpara. Prandaj, ftoj për një pjesëmarrje sa më të madhe, për një proces elektoral të drejtë, të lirë dhe fer. Kemi ndërtuar traditë të zgjedhjeve të mira dhe të pranuara nga të gjithë. Sot le të fitojë Kosova", tha Thaçi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike, prej tyre, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur. Të gjitha subjektet garuese, kanë hyrë në ditën e zgjedhjeve pas 10 ditëve të fushatës zgjedhore.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej të cilave, 20 ulëse të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitetet joserbe. Nga 25 subjektet garuese, për këto ulëse në garë janë gjithsej 1068 kandidatë.

Në listën përfundimtare, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i votuesve është 1,937.868, por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të shtypen 1,801.800 fletëvotime, përkatësisht 136,068 apo 7.02 për qind fletëvotime më pak se sa numri i votuesve.

Votimet, sipas KQZ-së do të mbahen në 895 qendra votimi me 2,547 vendvotime, në 38 komuna të Kosovës.

KQZ-ja përveç që ka hapur vendvotime për votuesit, po u mundëson votim edhe disa kategorive tjera të shoqërisë përmes ekipeve mobile.

Organizata të shumta vendore dhe ndërkombëtare kanë paralajmëruar se do të vëzhgojnë nga afër procesin e zgjedhjeve.

Me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Bashkimi Evropian ka dërguar një mision për vëzhgim të zgjedhjeve (EOM) në Kosovë.

Shefja e këtij misioni, Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë nga viti 2013.

Siç është bërë e ditur, për monitorimin e këtyre zgjedhjeve janë angazhuar rreth 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian të cilët do të jenë të shpërndarë në qendrat të votimit në komuna të ndryshme.

Procesi zgjedhor po ashtu po monitorohet edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.

Demokracia në Veprim është një rrjet prej 10 organizatave anëtare dhe 40 organizatave partnere të cilat po monitorojnë procesin e zgjedhjeve, të cilët kanë monitoruar edhe fushatën zgjedhor.

Demokracia në Veprim promovon zgjedhje të lira dhe të drejta përmes monitorimit të procesit zgjedhor, edukimit të votuesve dhe avokimit për reformë zgjedhore.

Sot kjo organizatë ka të angazhuar 2700 vëzhgues, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe 100 ekipe mobile për të përcjellur procesin e votimit.

Ndërkohë, edhe strukturat e rendit, thonë se janë mobilizuar për të siguruar mbarëvatje të procesit zgjedhor.

"Policia e Kosovës ka angazhuar një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe ka marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces", kanë thënë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës inkurajon të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.

Policia, prokuroria si dhe gjykatat, sipas përfaqësuesve të tyre, po përcjellin nga afër procesin dhe janë të gatshme për të reaguar dhe trajtuar rastet për të cilat duhet të merren këto organe.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit në Kosovë pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës. Ai kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pasi që ishte ftuar nga Dhomat e Posaçme (Gjykata Speciale) me Seli në Hagë që të intervistohej në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Pas dorëheqjes së Haradinajt, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar mocionin e shpërndarjes, duke i dhënë kështu mundësinë ligjore presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi që t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për datën 6 tetor.

XS
SM
MD
LG