Ndërlidhjet

Partia Ligji dhe Drejtësia duket se ka fituar zgjedhjet parlamentare në Poloni


Lideri i partisë, Ligji dhe Drejtësia, Jaroslaw Kaczynski.

Partia nacionaliste në pushtet në Poloni, Ligji dhe Drejtësia duket se ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e përgjithshme që janë mbajtur më 13 tetor.

Në disa rezultate të pjesshme, të bazuara në 72 për qind të votave të numëruara, shihet se kjo parti është e para me 45.8 për qind të votave të fituara.

Koalicioni Civil i qendrës, njëherësh grupi më i madh opozitar në Poloni është renditur i dyti më 22.3 për qind të votave.

Ky Koalicion përcjellet nga aleanca e të majtëve, E Majta, me 10.9 për qind të votave të fituara.

Partia Ligji dhe Drejtësia, në krye me Jaroslaw Kaczynskin, duket se ka përparuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara, pasi 4 vjet më parë pati fituar 37.6 për qind të votave.

Kjo parti, në fushatën e saj zgjedhore është fokusuar në zgjedhjen në mes të një shoqërie me vlera katolike tradicionale dhe një rregulli liberal që përkrah vetëm disa dhe dëmton jetën familjare.

Ligji dhe Drejtësia ka shënjestruar edhe komunitetin LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), duke i konsideruar pjesëtarët e tij si kërcënim.

Kundërshtarët thonë se Partia Ligji dhe Drejtësia ka kërcënuar demokracinë e Polonisë duke dëmtuar pavarësinë në gjyqësor dhe media, si dhe e ka kthyer këtë shtet të Evropës Lindore në vend më pak mikëpritës për minoritete.

Nisma që ka marrë kjo parti për reforma në sistemin e drejtësisë, media dhe institucione kulturore është kritikuar edhe nga Brukseli.

Mirëpo partia ka arritur të gëzojë popullaritet për shkak të politikave për fondet e ndara për shoqërinë.

XS
SM
MD
LG