Ndërlidhjet

Arrestohen dy persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka zhvilluar një operacion në veri të Mitrovicës, ku ka arrestuar dy persona, në lidhje me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se sot (16 tetor) në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka thënë Kelani.

“Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore, dhe ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar, zyrtar policor (R.B), i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjestar policor, mbetet në kërkim. Gjatë operacionit policor, është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar, tek i cili është gjetur një armë”, bëri të ditur Kelani.

Gjatë këtij operacioni, që është zhvilluar në orët e hershme, policia po ashtu ka konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion.

Por, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni në veri, është zhvilluar mbi dyshimin për krim të organizuar dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ne kemi shkuar për krim të organizuar dhe keqpërdorim. Tash, të shohim gjatë hetimeve se çfarë do të dalë. Mund të jenë edhe këta (personat e arrestuar) të involvuar në atë rast, në një mënyrë apo në mënyrë indirekte, por për momentin ne e kemi për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë Hoxha.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut para selisë së partisë së tij. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

XS
SM
MD
LG