Ndërlidhjet

Krerët e BE-së po diskutojnë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e V.


Ilustrim
Ilustrim

Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) po diskutojnë për hapjen ose jo të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Bisedimet filluan rreth orës 19:00 të datës 17 tetor. Ato po zhvillohen pas dyerve të mbyllura.

Kjo është hera e parë që kjo çështje po diskutohet në nivelin më të lartë politik në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, ka vendosur ta përfshijë këtë në rendin e ditës të samitit pasi ministrat e Jashtëm të BE-së, nuk arritën të bien dakord për një dritë të gjelbërt për Shkupin dhe Tiranën, në fillim të kësaj jave.

"Kjo është një çështje me rëndësi strategjike për besueshmërinë e BE-së , jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe jashtë BE-së", paralajmëroi një zyrtar i lartë evropian.

Presidentja e ardhshme e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, beson se nuk ka asnjë sinjal se mund të merret një vendim për të hapur negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

"Më vjen shumë keq për këtë, pasi besoj se këto vende kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për t'u afruar me BE-në dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme t'u jepet atyre një sinjal të qartë", tha ajo.

Një vendim pozitiv kërkon unanimitet në BE, dhe kjo duket se është e pamundur për shkak të qëndrimit të fuqishëm të Francës, e cila kundërshton çdo vendim të zgjerimit, përpara se të rishikohet metodologja e gjithë procesit.

Zyrtarët evropianë janë të gatshëm për të gjitha opsionet , përfshirë edhe ndarjen e mundshme të vendimeve, sepse deri më tani, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë trajtuar në të njëjtën paketë.

Në këtë mënyrë, Shkupi zyrtar mund të ketë një shans pak më të mirë për të marrë dritën e gjelbërt, pasi është një vend që i ka përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme, dhe është i vetmi vend në rajon që nuk ka mosmarrëveshje dypalëshe me fqinjët e tij.

XS
SM
MD
LG