Ndërlidhjet

Të 39 personat e vdekur në kamionin-frigorifer në Esiks "janë kinezë"


Pamje nga vendi ku është ndaluar kamioni në Esiks.

Të 39 personat e gjetur të vdekur në një kamion-frigorifer në Esiks të Britanisë kanë kombësi kineze, transmeton BBC.

Policia është duke vazhduar të marrë në pyetje drejtuesin e kamionit, Mo Robinson, 25-vjeçar, i cili është arrestuar nën dyshimet për vrasje.

Zyrtarët në Irlandën Veriore kanë bastisur dy shtëpi derisa Agjencia Kombëtare për Krime ka thënë se është duke punuar për të identifikuar “grupet e krimit të organizuar që mund të kenë luajtur rol në këtë rast”.

Kamioni-frigorifer ka arritur në Purfleet nga Zeebrugge në Belgjikë.

Stafi i ambulancës ka zbuluar trupat e 38 të rriturve dhe një adoleshenti në parkun industrial, Waterglde.

Këshilltari, Paul Berry ka thënë se fshati, Laurelvale, ku jeton familja e Robinsonit është “e shokuar totalisht”.

Ai ka thënë se ka qenë në kontakt me babain e Robinsonit, i cili ka mësuar për arrestimin e djalit të tij përmes rrjeteve sociale të mërkurën.

Zyra e Prokurorit në Belgjikë ka thënë se ka nisur hetimet për këtë rast, duke u fokusuar në organizatorët dhe personat tjerë të përfshirë në transport.

Ende nuk është bërë e qartë nëse viktimat kanë qenë në kamion apo incidenti ka ndodhur në Belgjikë.

Fillimisht kishte raportime se kamioni mund të ishte nisur nga Bullgaria, mirëpo më vonë zyrtarët kanë thënë se besojnë që ai ka hyrë në Britani përmes Belgjikës.

XS
SM
MD
LG