Ndërlidhjet

Kryeministri britanik synon mbajtjen e zgjedhjeve më 12 dhjetor


Kryeministri britanik, Boris Johnson.

Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se do t’iu japë më shumë kohë deputetëve për të diskutuar rreth marrëveshjes për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, vetëm nëse ata pajtohen që më 12 dhjetor të ketë zgjedhje të përgjithshme.

Johnson ka thënë për BBC-në, se po pret nga Bashkimi Evropian që të sigurojë një shtyrje të datës për largim, ndonëse ai nuk dëshiron një gjë të tillë.

Britania ishte planifikuar të largohej nga BE-ja më 31 tetor.

Kryeministri britanik u ka bërë thirrje laburistëve opozitarë që të mbështesin zgjedhjet në mocionin që do ta prezantojë në javën e ardhshme.

Ndërkohë blloku evropian pritet që të premten të bëjë publik vendimin nëse do ta shtyjë datën për finalizim të Brexitit për tre muaj apo më pak se aq.

Në një letër dërguar liderit të laburistëve, Jeremy Corbyn, Johnson ka thënë se “preferon mundësinë” e shtyrjes më të shkurtër siç është “15 apo 30 nëntori”.

Në atë rast, siç shkruan Johnson, ai do të tentojë të fitojë mbështetjen e deputetëve në parlament, duke përfshirë atë të laburistëve.

Ai ka thënë se pret që Corbyn do të bashkëpunojë me të për të ratifikuar marrëveshjen, në mënyrë që Britania të largohet me marrëveshje nga BE-ja.

Nëse procesi i Brexitit finalizohet në janar të vitit të ardhshëm, Johnson ka thënë se do të kërkojë që deputetët të votojnë për mbajtje të zgjedhjeve në Britani më 12 dhjetor.

Nëse laburistët pajtohen, qeveria ka thënë se do të tentojë të paraqesë para deputetëve marrëveshjen për Brexit, para se parlamenti të shpërbëhet për fushatën parazgjedhore më 6 nëntor.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​

XS
SM
MD
LG