Ndërlidhjet

Turistët ngjiten për herë të fundit në shkëmbin e shenjtë Uluru


Shkëmbi Uluru.

Turma të mëdha të njerëzve kanë nisur ngjitjen në Uluru të Australisë, në ditën e fundit para se të ndalohet ky aktivitet.

Monoliti gjigant, që dikur është njohur për turistët si Shkëmbi Ayers, do të mbyllet përgjithmonë nga dita e shtunë.

Uluru konsiderohet vend i shenjtë për banorët indigjenë, Anangu, të cilët u kanë kërkuar një kohë të gjatë turistëve të mos ngjiten.

Vetëm 16 për qind e vizitorëve janë ngjitur në këtë shkëmb në vitin 2017, kur edhe është njoftuar për ndalimin, mirëpo ky aktivitet është shpeshtuar javëve të fundit.

Të premten, ngjitësit janë përballur me vonesa për shkak të erërave të forta dhe të rrezikshme.

Pas tri orëve zyrtarët kanë thënë se ngjitja është e sigurt.

Nga viti 1950, dhjetëra persona kanë vdekur në Uluru për shkak të aksidenteve, dehidrimit dhe incidenteve tjera të lidhura me nxehtësinë.

Uluru është shkëmb 348 metra i lartë, mirëpo ngjitja përcillet me rrëshqitje.

Gjatë verës, temperatura në këtë zonë mund të arrijë deri në 47 gradë Celsius.

XS
SM
MD
LG