Ndërlidhjet

SHBA: Gjykatësja kërkon që Kongresit t’i dërgohet raporti i plotë i Muellerit


Robert Mueller.

Një gjykatëse amerikane ka urdhëruar Departamentin e Drejtësisë që t’ia japë një komiteti të Kongresit, dëshminë që kishte dhënë para Jurisë së Madhe, ish-këshilltari i posaçëm Robert Mueller, i cili ka hetuar ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane.

Kjo dëshmi është urdhëruar t’u jepet kongresistëve, teksa ligjvënësit amerikanë janë duke mbledhur të dhëna mbi hetimin për shkarkimin e presidentit, Donald Trump.

Vendimi i 25 tetorit njëherësh konfirmon ligjshmërinë e hetimit për procedurat e shkarkimit të Trumpit, teksa gjyqtarja, Beryl Howell urdhëroi Departamentin e Drejtësisë që t’i dorëzojë materialet pranë Komitetit për Drejtësi të Dhomës së Përfaqësuesve deri më 30 tetor.

Departamenti amerikan i Drejtësisë tha se po rishikon vendimin dhe se administrata Trump pritet ta apelojë atë.

Ky vendim po shihet si fitore për demokratët, të cilët janë duke mbledhur dëshmi nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë qeveritarë lidhur me përpjekjet e administratës për të shtyrë Ukrainën që të hetojë rivalin e tij politik, ish-nënpresidentin amerikan Joe Biden.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nency Pelosi tha se vendimi i gjykatëses “është goditje tjetër ndaj përpjekjeve të presidentit Trump që ta vë veten mbi ligjin”.

Materiali i dëshmisë së Mueller mund të shfaqë detaje të panjohura mbi veprimet e Trumpit gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2016 dhe mund të bëhet pjesë e përpjekjeve të demokratëve për ta shkarkuar presidentin.

Kongresi deri më tani ka pranuar vetëm informacione të redaktuara nga raporti i Muellerit.

Raporti i tij nuk ka gjetur të dhëna të mjaftueshme për të provuar se ka pasur një konspiracion ndërmjet Rusisë dhe ekipit të fushatës së Trumpit.

Por, hetimi i Muellerit gjithashtu ka shqyrtuar edhe sjelljet e mundshme të Trumpit, në përpjekje për të penguar hetimin dhe në raport të Muellerit thuhej se presidenti Trump mund të shfajësohet për pengimin e drejtësisë.

XS
SM
MD
LG