Ndërlidhjet

Shtyhet publikimi i rezultateve të zgjedhjeve presidenciale afgane


Presidenti Ashraf Ghani duke votuar në zgjedhjet e 28 shtatorit.

Autoritetet zgjedhore në Afganistan kanë thënë se publikimi i rezultateve preliminare të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura muajin e kaluar, do të shtyhet për disa javë.

Komisioni i Pavarur Zgjedhor tha se rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 28 shtator, pritet të publikohen më 14 nëntor.

Publikimi i këtyre rezultateve fillimisht ishte thënë se do të bëhet më 19 tetor.

Shefi i Komisionit Zgjedhor, Hawa Alam Nuristani u tha gazetarëve se zgjedhjet janë “përcaktuese” prandaj, nuk do “të sakrifikojmë transparencën për hir të shpejtësisë” të publikimit të rezultateve.

Publikimi i rezultateve zgjedhore është përcjellë me akuza për parregullsi zgjedhore.

Dy pretendentët kryesorë për postin e presidentit, presidenti aktual Ashraf Ghani dhe Shefi Ekzekutiv, Abdullah Abdullah kanë shpallur fitoren dhe kanë akuzuar njëri-tjetrin për mashtrime në zgjedhje.

Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk ka fituar mbi 50 për qind të votave, dy prej më të votuarve do të përballen në raundin e balotazhit.

XS
SM
MD
LG