Ndërlidhjet

KQZ-ja zbaton vendimin e Supremes për numërimin e votave të diasporës


Ilustrim.
Ilustrim.

Votat e ardhura me vonesë nga diaspora do të numërohen dhe do të përfshihen në kuadër të rezultatit final të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit në Kosovë.

Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për rinumërim të 4 mijë e 639 votave.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka theksuar të enjten se nuk mund të komentojë vendimin e Supremes pasi "KQZ e ka për obligim ta zbatojë vendimin".

Këto vota është thënë të kenë mbërritur në Kosovë me vonesë, për shkak të problemeve në trafikun ajror.

Kjo vonesë kishte shtyrë fillimisht KQZ-në që këto vota të mos i marrë parasysh. Por, ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo e cila i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për ankesë.

Në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se votuesit nuk kanë faj për arritjen me vonesë të fletëvotimeve, andaj edhe ka kërkuar numërimin e votave.

Kjo ishte hera e dytë që Gjykata Supreme vendosi në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për numërim të votave të diasporës, pasi që paraprakisht, pas vendimit të parë, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa kishte vendosur që këto vota të mos numëroheshin.

Ndërkaq, pas shqyrtimit të dytë në Gjykatën Supreme, tani vendimi është i prerë ndërkohë që edhe KQZ-ja është pajtuar që ato vota të numërohen.

Rinumërimi i votave në 530 vendvotime, votat me kusht, ato nga diaspora dhe votat nga Serbia, kanë ndikuar që procesi numërimit të tërësishëm të votave dhe shpallja e rezultatit përfundimtar të zvarritet.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka deklaruar për Televizionin Publik se certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, mund të zgjasë deri në dhjetor, duke sqaruar se vonesat po ndodhin për shkak të ankesave të subjekteve politike dhe të kandidatëve.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të këtij viti.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto parti është thënë se janë duke zhvilluar takime për formim të qeverisë së re, pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror Zgjedhor.

XS
SM
MD
LG