Ndërlidhjet

Mungesë e fuqisë punëtore në disa profesione në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim

Largimi i fuqisë punëtore nga Maqedonia e Veriut ka filluar të ndjehet veçanërisht në profile të specializuara.

Oda e Zejtarëve të Maqedonisë së Veriut ka theksuar se tanimë ka filluar të ndjehet mungesa e zejtarëve të ndryshëm dhe mjeshtërve në profile të caktuara si rrjedhojë e një numri të madh të tyre të cilët janë larguar me punë të përkohshme në vendet evropiane ku pagat janë më të larta dhe kushtet për punë janë shumë më të mira.

“Shteti është dashur që më shumë të kujdeset për ne zejtarët. Tani kanë filluar të bëhen disa përpjekje, por kjo nuk mund ta ndalë trendin e largimit pasi në vendet evropiane puna e tyre vlerësohet shumë më shumë”, thotë Agron Fazliu.

Ndërkaq, Darko Vellkov nga kompania “Vrabotuvanje.mk” e cila bën ndërlidhjen e punëdhënësve me ata që kërkojnë punë në sektorë të ndryshëm, për Radion Evropa e Lirë thotë se Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet seriozisht që të ofrojë kushte më të mira për punë si në sektorin privat ashtu edhe në atë shtetëror nëse nuk dëshiron të mbetet pa punëtorë.

“Për fat të keq, vetëm rreth 13 për qind e atyre që futen në procesin arsimor orientohen kah arsimi profesional, prej këtu del qartë se pse kemi kaq dallim të madh mes asaj se çka kërkohet në tregun e punës dhe çka paraqitet si ofertë”, thekson Vellkov.

Nga ana tjetër, Besa Kadriu nga fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, thotë se shteti me urgjencë duhet të krijojë një strategji gjithëpërfshirëse duke pasur në fokus investimet në profilet deficitare.

“Na duhet një përgatitje e sistemit të edukimit, më frytdhënëse, në kuptimin e asaj që investimet më të mëdha në sferën e buxhetit që i dedikohet arsimimit të orientohen në shkollat profesionale, respektivisht tek shkollat e zanatit që do të avancojnë mësimin e zanateve të ndryshme dhe kuadri që do të del nga ato shkolla, nga qeveria të subvencionohet me paga të arsyeshme në mënyrë që të sigurohet për këto profile një jetë solide”, thotë Kadriu.

Ndryshe, shkalla e papunësisë sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, shënon nivelin më të ulët edhe atë prej 17.5 për qind, për dallim nga viti 2018 kur 20.7 për qind kanë qenë të papunësuar.

Ekspertët thonë se shkalla e papunësisë është ulur në masë të theksuar jo për shkak të vendeve të reja të punës, por si rrjedhojë e largimit të një numri të caktuar të krahut të punës në vendet evropiane.

Arsyet e largimit nga Maqedonia e Veriut në vendet e Bashkimit Evropian për dallim nga më parë që në krye ishte mungesa e një vendi të punës dhe pagat e ulëta, tani vendin e zënë kushtet e këqija në punë, influenca e politikës në zhvillimin e biznesit, ndërhyrja e politikës në ngritjen në karrierë në sektorin shtetëror, standardi i ulët jetësor, shërbimet e këqija në shëndetësi deri tek problemet me ajrin e ndotur, theksojnë kompanitë që mundësojnë ndërlidhjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut me kompanitë e vendeve të Evropës që kërkojnë punëtorë.

Pas infermiereëve, mjekëve, kujdestarët për të moshuarit, të cilët janë në krye të listës së atyre që largohen nga Maqedonia e Veriut, vijnë punëtorët e ndërtimit dhe inxhinierët elektrikë, elektricistët, mjeshtrit hidro-teknikë , muratorët si dhe punonjësit në sektorin e turizmit, duke përfshirë kamerierë të kualifikuar dhe kuzhinierët.

XS
SM
MD
LG